Pompeo nisi bisedimet me Netanyahun për të ashtuquajturën “Marrëveshja e Shekullit”

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo sot filloi bisedimet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu për të ashtuquajturën “Marrëveshja e Shekullit”.

Duke folur para gazetarëve përpara bisedimeve, Pompeo tha se mezi po pret të bëjë një përparim në lidhje me të ashtuquajturin plan të paqes.

Ai theksoi se bisedimet do të trajtojnë gjithashtu përpjekjet e Iranit dhe Izraelit për të frenuar përhapjen e koronavirusit (COVID-19).

Pompeo pritet të takohet më vonë me liderin e partisë “Kaltër dhe Bardhë”, Benny Gantz, i cili ra dakord me Netanyahun për të formuar qeverinë e unitetit.

Sekretari amerikan mbërriti në Izrael sot në mëngjes për një vizitë disa orëshe.

Përveç kësaj, Ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman mungoi në pritjen e Pompeos për shkak të problemeve shëndetësore, njoftoi Autoriteti Izraelit i Transmetimit.

Plani i ashtuquajtur “Marrëveshja e Shekullit” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump u njoftua më 28 janar. Ai i referohet Kudsit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor nën okupim.

Plani përfshin krijimin e një shteti palestinez shumë të fragmentuar të lidhur me ura dhe tunele.

Zyrtarët palestinezë thonë se sipas planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30-40 përqind të Bregut Perëndimor, përfshirë të gjithë Kudsin Lindor.

Plani ka shkaktuar kritika të gjera nga bota arabe dhe është refuzuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila u bëri thirrje “të gjitha vendeve anëtare të mos e pranojnë këtë plan ose të bashkëpunojnë me administratën e SHBA-së për zbatimin e tij në çfarëdo forme”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne