Bota

Pompeo udhëton në Lindjen e Mesme për konsultime urgjente kundër Iranit

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, të dielën tha se do të shkojë në Lindjen e Mesme për të takuar aleatët e rajonit për të formuar “koalicion global” kundër Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Vizita e tij vjen vetëm disa ditë pasi SHBA dhe Irani arritën në prag të luftës pasi javën e kaluar Irani rrëzoi një mjet ajror zbulues amerikan në Ngushticën e Hormuzit, dhe presidenti amerikan Donald Trump në minutat e fundit ndërroi mendjen për të sulmuar Iranin për shkak se nuk do të ishte reagim “proporcional”.

Konsultimet urgjente të sekretarit amerikan të shtetit në Lindjen e Mesme, me sa duket të paplanifikuara paraprakisht, do të fillojnë në Arabinë Saudite dhe do të vazhdojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ne do të bisedojmë me ta se si të jemi të sigurt se të gjithë jemi në një vijë strategjike, dhe si mund të ndërtojmë koalicionin tonë global, një koalicion jo vetëm me shtetet e Gjirit, por në Azi dhe në Evropë, që e kupton këtë sfidë dhe që është e gatshme të bëjë rezistencë kundër shtetit-financues më të madh të terrorizmit”, tha Pompeo në lidhje me Iranin para se të nisej nga Washingtoni.

Ai gjithashtu tha se administrata e Trumpit është e gatshme të bisedojë me Iranin.

“Ata saktë e dinë se si mund të na gjejnë”, tha Pompeo, duke iu referuar liderëve të Iranit.

Pompeo do të shkojë në Indi pas vizitës së Lindjes së Mesme dhe pastaj në fund të javës do të takojë Trumpin në Japoni dhe në Kore të Jugut.

Tensionet midis Iranit dhe SHBA-ve kanë qenë në rritje që nga maji i vitit të kaluar, pas tërheqjes së njëanshme amerikane nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, të nënshkruar në vitin 2015 mes Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm në Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania dhe BE-ja.

Që atëherë, SHBA-të nisën një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Një pjesë e fushatës së SHBA-ve ka përfshirë rivendosjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës iraniane, e cila ka dërguar ekonominë iraniane në një ulje kulmore.

SHBA-të po ashtu kanë rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë aeroplanmbajtës, forca bombarduese dhe bateri raketore Patriot, duke përdorur kërcënimet nga Irani si arsyetim për veprimet.

Dy javë më parë, administrata e Trumpit njoftoi se do të dërgojë 1000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke cituar kërcënimet në rritje nga Irani./AA

OPINIONE