Rajoni Shqiperia

“Populli shqiptar dhe populli turk i besojnë njëri-tjetrit”

Deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Kuvendin e Turqisë (TBMM) për qytetin e Giresun-it, Sabri Öztürk, tha se “Populli shqiptar i beson popullit turk dhe populli turk i beson popullit shqiptar”.

Öztürk, i cili ishte në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të përfaqësuar Turqinë në takimin e 49-të të Komisionit të Çështjeve Ekonomike, Tregtare, Teknologjike dhe Mjedisore të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), për Anadolu Agency (AA) vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Duke theksuar se takimet e këtilla të PABSEC-ut mundësojnë një afrim dhe bashkëpunim shumë serioz mes vendeve anëtare, Öztürk tha se mbajtja hapur e këtyre kanaleve të dialogut është në dobi të të gjitha vendeve anëtare.

Ai u shpreh se mes Shqipërisë dhe Turqisë ka dialog shumë të afërt historik.

“Prandaj, pikëpamja jonë si shtet ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar, është pozitive. Kemi jetuar së bashku në të kaluarën. Kemi lidhje shumë të përbashkëta. Duke u nisur nga kjo, ne jemi duke ndërmarrë dhe do të ndërmarrim hapa për të zhvilluar edhe më shumë këto lidhje”, vuri në dukje Öztürk.

“Populli shqiptar i beson popullit turk dhe populli turk i beson popullit shqiptar”

Deputeti turk theksoi se mes Shqipërisë dhe Turqisë ka marrëdhënie me dimensione shumë të thella historike. Ai tha se mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidentit Ilir Meta, ekzistojnë marrëdhënie të afërta, duke shtuar se në vitet e fundit ka një marrëdhënie e cila rritet dhe përforcohet mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Sipas asaj që shoh, populli shqiptar i beson popullit turk dhe populli turk i beson popullit shqiptar. Këto lidhje historike mes popujve janë tejet të rëndësishme. Ka kushte të nevojshme për të zhvilluar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve. Edhe ne, gjërat pozitive që i kemi vërejtur këtu, do t’i përçojmë në vendet përkatëse në shtetin tonë. Unë besoj se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë do marrin dimensione edhe më të avancuara”, tha Öztürk, duke shprehur bindje në përforcimin e marrëdhënieve sociale dhe tregtare mes dy vendeve.

“Populli turk qëndroi me guxim kundër tentativës për grusht shteti”

Deputeti Öztürk rikujtoi tentativën për grusht shteti të organizatës terroriste FETO më 15 korrik të vitit të kaluar. Ai tha se Turqia në tërësi ka dhënë një përpjekje serioze natën e kësaj tentative dhe theksoi se ajo u pengua nga qëndrimi i popullit me guxim kundër armëve dhe tankeve.

“Karakteristika kryesore e organizatës terroriste FETO është se fytyra e dukshme e saj në dialogun me njerëzit dhe zyrtarët qeveritarë është ndryshe nga fytyra e vërtetë e saj. FETO është sikurse një dorezë kadifeje e veshur në grusht prej hekuri. Në fakt, ajo përbën rrezik që mund t’i eliminojë, t’i shkatërrojë, t’i dëmtojë njerëzit dhe shtetet, por me një dorëze prej kadife e mbulon atë. E tregojnë veten sikur krijojnë dialog, janë humanë dhe shumë të dashur”, u shpreh ai. Öztürk shtoi se tentativa për grusht shteti është përvojë e rëndësishme për Turqinë e përjetuar dramatikisht, por e tejkaluar me sukses.

Öztürk tha se FETO, në shtetet që vepron, i afron fëmijët e zyrtarëve të lartë në aspektin e mendimit përmes arsimit, duke theksuar se kur këto fëmijë rriten dhe vijnë në pozita të rëndësishme në atë shtet, i përdor si njerëz të vet dhe bën përpjekje për qeverisje paralele.

Duke potencuar se kanë dijeni se FETO zhvillon punime serioze në Shqipëri prej më shumë se 20 vjet, ai tha se në rast se Shqipëria nuk merr masat e nevojshme duke përfituar edhe nga përvoja e Turqisë, në të ardhmen edhe asaj mund t’i ndodhin gjëra të këqija.

Në këtë drejtim, Öztürk thotë se Shqipëria nuk duhet ta lejojë organizatën terroriste FETO dhe kërkoi që sa më shumë që të jetë e mundur të ekstradohen në Turqi ata që janë përfshirë në krime.

“Gjykatat shqiptare duhet të japin vendim në favor të shtetit dhe popullit shqiptar”

Në lidhje me shtetasin turk Muhammet Yasir Aydoğmuş, i cili u ndalua nga Policia e Durrësit më 8 tetor (data sipas policisë) së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, në tentativë për të kaluar kufirin me pasaportë të falsifikuar, të cilët pastaj u liruan nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për vuajtjen e masës “arrest me burg”, Öztürk tha se Turqia, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të saj, do t’i përcjellë kërkesat e saj deri te qeveria shqiptare.

Duke u shprehur se tentativa për kalimin e kufirit të shtetit me një pasaportë të falsifikuar pa kërkuar leje nga ai shtet nga një i dyshuar si anëtar i FETO-s tregon për mashtrimin e kësaj organizate, Öztürk theksoi: “Sepse karakteristika kryesore e FETO-s është gjithmonë të gënjejë, të tregojë ndryshe fytyrën e vërtetë të saj dhe të mashtrojë. Njeriu i mirë patjetër duhet të respektojë rregullat e vendit ku jeton, e nëse nuk respekton dhe nxjerr pasaportë të falsifikuar, kjo është një shenjë e hapur e cila tregon se janë brenda një organizate kriminale”.

Öztürk e cilësoi si të papranueshëm lirimin e një personi që ka kryer një veprim të tillë. Ai theksoi se gjykatat shqiptare duhet të japin vendim në favor të shtetit dhe popullit shqiptar për një person i cili ka falsifikuar pasaportën në mënyrë mashtruese ndaj Shqipërisë, duke i shkelur ligjet dhe duke vepruar kundër popullit shqiptar.

Deputeti turk, i cili theksoi se organizata terroriste FETO ka një potencial për të arritur çdo zyrtar në çdo vend, shprehu bindjen se gjyqësori shqiptar do të përmirësojë vendimet e gabuara duke punuar me më shumë përpjekje./ AA

OPINIONE