21.09.2025 Av. Faik MIFTARI
Nga rrjetet sociale, mora vesh që më 19 shtator 2025 ndërroi jetë diplomati, politikani, burrështetasi, intelektuali, publicisti, shkrimtari, atdhetar dhe besimtari, i madhi z. Abdi Baleta. Përveç Elhamit të lexuar dhe lutjes tek Zoti -Krijuesi Fuqiplotë që ta mëshirojë me mëshirën e tij të pakufishme shpirtin e ndritur të z. Abdi Baleta, njëherit e pash të nevojshëm si një obligim intelektual e njerëzor ndaj tij, që ta përkujtojë me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), diplomatin, politikanin,burrështetasin, intelektualin, publicistin, shkrimtarin, të madhin z. Abdi Baleta
E titullova këtë shkrim post mortum “Diplomatit, z. Abdi Baleta”, pasi që për të për herë të parë, për të kam dëgjuar nga koha e sistemit monist, kur ishte ambasador i Shqipërisë, pranë Kombeve të Bashkuara në SHBA-të. Përveç se ishte diplomat, ishte një intelektual i kalibrit të rrallë, një diplomat, njohës i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si në aspektin kombëtar shqiptar, ashtu edhe në aspektin fetar mysliman. Përpjekjet dhe kontributet politike e fetare si dhe shkrimet dhe veprat e tija të shkruara do të mbesin përherë një kapital i çmuar i cili do të lenë përherë gjurmë në historinë më të re politike, kombëtare shqiptare, të fund shekullit XX-të dhe fillim shekullit XXI-të.
Për kontributin e tij të çmuar dhënë në aspektin kombëtar jo vetëm për çështjen shqiptare në Shqipëri, por edhe gjithandej trojeve shqiptare në Ballkan, si në Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Preshevë e Ulqin, nuk do të ndalem, pasi që për këtë janë duke shkruar dhe do të shkruajnë gjatë këtyre ditëve publicistë të shumtë në të gjitha trojet shqiptare, por do të ndalem veçmas në kontributin e tij fetar, në raport me Islamin dhe myslimanët, si në Shqipëri ashtu edhe në botën islame.
Në Gazetën Rimëkëmbja që e botonte Abdi Baleta në Tiranë, gjatë një
dekade, nga viti 1996-2006, u botuan për herë të parë në Tiranë, edhe shkrimet e m’ia publicistike të karakterit politik e fetar, me sa më kujtohet gjatë viteve 2005-2006, që ia dërgoja kohë pas kohe, për të cilit i jam falënderues përherë të madhit z. Abdi Baleta.
Diplomatin, Abdi Baleta, pata rast ta takojë ”live” vetëm njëherë, dhe atë në Simpoziumin Kombëtar me titull: ”Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami i përcjell në këtë integrim” të mbajtur me 2 shkurt 2008 në Kavajë të Shqipërisë, organizuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë dhe sponsoruar nga Vëllezërit Haveriku, në të cilin morën pjesë referues të shumtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, si dhe mysafirë dhe pjesëmarrës tjerë.
Kumtesa e diplomatit, Abdi Baleta, me titull “Trajtimi i problemeve të Islamit në literaturën perëndimore”, me të vërtetë, sipas perceptimit dhe bindjes sime si pjesëmarrës i këtij simpoziumi të mbajtur në Kavajë para 17 vitesh, ishte punimi më i mirë i përgatitur dhe i prezantuar në këtë Simpozium Kombëtar me titull: ” Integrimi i shqiptarëve në Evropë dhe vlerat që Islami përcjell në këtë integrim”.
Në këtë shkrim përkujtimor do t’i veçoja vetëm disa nga këndvështrime dhe perceptime të trajtuara të diplomatit Abdi Baleta për çështjen islame dhe myslimanët në Shqipëri, Ballkan dhe botën Islame, në kumtesën e tij të mbajtur me titull: “Trajtimi i problemeve të Islamit në literaturën perëndimore”, të cilët në të vërtetë ishin të jashtëzakonshme, të qarta, largpamëse dhe reale jo vetëm gjatë periudhës kohore të atëhershme kur janë shkruar, por këto perceptime qëndrojnë sidomos tani, në periudhën kohore të tanishme në të cilin gjendemi.
“Ligjërimi perëndimor për Islamin edhe sot zhvillohet në një atmosferë mbytëse nga ngarkesat me teologji të politizuar dhe me politikë të teologjizuar. Kësaj teologjie anti-islame vazhdojnë t’i përmbahen me këmbëngulje dhe ta përçojnë me zell e djathta e krishterë evangjeliste dhe katolike në SHBA, në bashkëpunim edhe me fundamentalizmin hebraik, sionizmin politik dhe “sionizmin amerikan””.
“Në Perëndim mbizotëruese është bërë ideja se qytetërimi judeo-kristian perëndimor ka epërsi dhe duhet t’u imponohet të gjithë qytetërimeve të tjera për vlerat e tij të pakrahasueshme në zhvillimin intelektual, ekonomik, teknologjik , për natyrën demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, çlirimin shpirtëror të individit, respektimin e grave, etj. Nga ky këndvështrim shihen edhe marrëdhëniet midis Krishterimit dhe Islamit. Vlerësohet se modernizmi dhe modernizimi burojnë natyrshëm nga brendësia e traditës judeo-kristiane, kurse qytetërimit mysliman i duhen imponuar nga jashtë. Në Perëndim kultivohen ende idetë sektare se Islami e Krishterimi nuk kanë qenë kurrë në marrëdhënie të mira e nuk mund të ketë pajtim midis tyre. Por nuk mungojnë thirrjet dhe veprimtaritë për dialog ndërfetar e mirëkuptim, ndonëse në të shkuarën sipas Karen Armstrongut ka qenë pikërisht Krishterimi ai që e refuzonte dialogun”.
“Ballkani është i vetmi rajon evropian, ku jetojnë disa milionë mysliman autoktonë, shumica shqiptarë. Ballkani përbën një rast dhe një shembull të
veçantë, kur vjen puna tek trajtimi i problemeve të Islamit, si për Perëndimin e krishterë dhe për botën myslimane lindore. Myslimanët në Ballkan nga pikëpamje historike, politike, shoqërore, kombëtare, madje edhe fetare, nuk janë njësoj si myslimanët imigrantë në Evropë. Në ligjërimin perëndimor Islami në Ballkan merret si i vonuar, pa rrënjët e thella, i trazuar më shumë me tradita të forta lokale. Rrjedhimisht mendohet se kemi të bëjmë me një Islam periferik, mjaft i pavarur, disi i shkëputur nga bota e madhe myslimane, që ka qenë më shumë në pozita mbrojtëse dhe në tërheqje dhe është në lëvizje drejt Krishterimit”.
“Përfundimisht duhet thënë se në ligjërimin politik perëndimor në përgjithësi po gjejnë pasqyrim të drejtë roli shumë i rëndësishëm dhe ndihmesa e madhe e Islamit në formësimin e fizionomisë kombëtare të shqiptarëve të sotëm, në ruajtjen e identitetit etnik e kombëtar pellazgo-iliro-shqiptar, në krijimin e forcimit të shqiptarisë si “fe civile” e shqiptarëve, të shqiptarizmit si vetëdijesim i përkatësisë etno-kombëtare të vet nacionalizmit shqiptar si sendërtim politik të fesë civile dhe të krijimit të ruajtjes së bashkëjetesës, tolerancës e harmonisë së pashembulltë fetare që njihet e çmohet botërisht, si vlerë e veçantë e jetës shpirtërore e shoqërore, kombëtare e shtetërore tek shqiptarët”.
“Shqipëria do të jetë në të njëjtën kohë një vend Konkordati për fenë katolike dhe pazaret do t’i bëjë nga pozita servilizmi ndaj Vatikanit. Do të ketë marrëdhënie nënshtrimi me një Greqi kishtare brenda Shqipërisë, kishën ortodokse shqiptare të uzurpuar nga Janullatosi dhe mëkëmbësit e tij më vonë dhe me shtetin grek që haptazi e shpall veten si mbrojtës i ortodoksisë në Shqipëri. Vetëm ndaj bashkësisë islame qeveritë shqiptare do të sillen me prepotencë, si ndaj një jetimi, se nuk ka qendër mbrojtëse ndërkombëtare për të”.
Këto këndvështrime dhe trajtime nga kumtesa e mbajtur para 17 vitesh në Kavajë, nga diplomati, i madhi z. Abdi Baleta, në kohën në të cilën jetojmë, janë edhe më aktuale, më të përhapura, më të shprehura tani, si një realitet i hidhur për fat të keq të myslimanëve si në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, por edhe anembanë botës islame.
Do të përmbyll këtë shkrim post mortum(pas vdekjes) për burrështetasin,
politikanin, publicistin dhe shkrimtarin z. Abdi Baleta, me fjalinë e tij
përmbyllëse,nga kumtesa e lexuar në Simpoziumin Kombëtar të mbajtur në Kavajë para 17 vitesh: “Zoti i ndihmoftë myslimanët edhe në Shqipëri”!

















