Projektbuxheti i vitit 2026 do të jetë në vlerën e 8.8 miliardë euro me rritje prej 500 milionë euro krahasuar me këtë vit. Për vitin 2026 parashikohet rritje pensionesh, shtim investimesh publik, ulje e borxhit dhe rritje e pagës minimale.
TIRANË- Projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit ai për Buxhetin e Shtetit është depozituar në Kuvend. Plot 886 miliardë lekë ose 8.8 miliardë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s. Në raport me buxhetin e këtij viti të rishikuar me aktin e fundit normativ, rritja e shpenzimeve është me 500 milionë euro.
Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve që parashikon bonuse të përmuajshme. Sipas të dhënave në projektligj fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre.
Kurse investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar të arrijnë në vlerën rreth 1.8 miliardë euro, brenda së cilave janë 50 milionë eurot e parashikuara për rindërtimin që ende vijon dhe 68 milionë euro financime të pritshme nga plani i rritjes së BE-së. Ndërsa për këtë vit investimet publike janë në vlerën e 1.6 miliardë euro.
Ky projektbuxhet mbështet gjithashtu investimet në infrastrukturë, digjitalizimin e administratës, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët”, thuhet në relacion.
Ndërkohë sa i takon të ardhurave ato planifikohet të arrijnë në vlerën 8.2 miliardë euro nga 7.7 miliardë euro aktualisht, rritje që pritet të ndikohet kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe mirëdministrimi.
“Gjatë periudhës afatmesëm 2026-2028, rritja parashikohet të vijojë trendin pozitiv me mesatarisht në nivelin 4 përqind në vit, e mbështetur nga dinamika e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i sektorëve strategjikë dhe pritshmëritë për një rikuperim gradual të ekonomisë globale dhe veçanërisht atë të bashkimit evropian. Rritja ekonomike do të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht nga konsumit privat, i cili pritet të mbetet nxitësi kryesor i zgjerimit të produktit të brendshëm bruto”, thuhet në relacion.
Në vitin që vjen thuhet në projektbuxhet, borxhi publik do të kapë shifrën e 14.921 milionë euro, nga 14.255 milionë euro i parashikuar për këtë vit.
“Në vitin 2025 parashikohet që borxhi publik bruto të ulet në rreth 54.1 përqind të PBB dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 53.6 përqind të PBB në vitin 2026. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 51.0 përqind në vitin 2028 dhe më tej në rreth 46.4 përqind në vitin 2031”, vijon relacioni.
Po ashtu për herë të parë vitin që vjen është planifikuar të indeksohen pagat e administratës publike në masën 2.5%, si dhe është parashikuar financim për rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë nga janari i 2026-ës dhe do të rritet në 60 mijë lekë brenda 2028-ës.
/shqiptarja

















