Prapaskenat/ Donald Lu-së ju premtua arrestimi i Klement Balilit. Pse ambasadori këmbëngul te kapja e ish-drejtorit

Ambasadori amerikan, Donald Lu, ka përmendur sërish ditën e djeshme emrin e Klement Balilit, ish-drejtori i Transporteve në Sarandë që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Balili ka mundur t’i fshihet policisë për afro dy vite dhe kritikat e shprehura sot nga ambasadori për policinë dhe prokurorinë, që kanë dështuar deri më tani për arrestimin e tij, ishte më tepër një shfryrje nga lodhja e pritjes.

“Balili është një bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vite, qeveria, policia dhe prokurorët, nuk kanë pasur aftësinë ose s’kanë dashur ta kapin”, u shpreh Lu sot.

Po pse këmbëngul ambasadori amerikan tek rasti Balili? Në ditët e fundit të qëndrimit në Shqipëri, ambasadori amerikan duket se kërkon të çojë deri në fund një çështje të nisur po nga amerikanët. Ishte DEA amerikane në Greqi ajo e cila zbuloi rrjetin e trafikut dhe çoi në identifikimin e Balilit. Dhe arrestimi i Klement Balili mbyll ciklin e këtij grupi.

Me ndryshimet në Ministrinë e Brendshme dhe policinë e shtetit, ambasadorit amerikan ju premtua arrestimi i Klement Baililit. Edhe vetë ambasadori Lu u shfaq i entuziazmuar se me ndryshimet e reja në polici, do të bëhej i mundur edhe arrestimi i Balilit. Në intervistën e dhënë për emision ‘Opinion’, në prill të këtij viti, Lu u shpreh, ndër të tjerash për Balilin se ‘ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë’, duke paralajmëruar në këtë mënyrë se policia ishte afër ndalimit të tij.

Që pas kësaj deklarate të ambasadorit, për kapjen e Klement Balilit, policia ka zhvilluar disa operacione në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ku dyshohej se strehohet ish-drejtori i Transporteve, por deri më tani këto aksione kanë dështuar.

Me deklaratën e sotme, duket se edhe Ambasadori Lu e ka humbur besimin se gjatë ditëve të fundit të qëndrimit në Tiranë, policia shqiptare do të mund të arrestojë Balilin, i cili prej dy vitesh vijon të jetë i lirë edhe pse ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne