Shqiperia

Prapaskenat e Brukselit/ Si po negocion Edi Rama për ngritjen e kampeve të refugjatëve

Edi Rama që e ka shndërruar në një bast personal hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, po shfrytëzon kartën ekstreme që i ka ardhur në dorë në çastin e fundit: të negociojë me vendet Big të BE-së dhënien e dritës jeshile në këmbim të pranimit të kapeve të azilantëve që vijnë nga Siria dhe vendet e tjera ne luftë, drejt Europës.

Jo më kot zv/ ministri i brendëshëm, Julian Hodaj i tha televizionit gjerman ZDF se Shqipëria ka kapacitet të mirpresë deri në 600 mijë refugjatë (shkrimi poshtë). Idenë se vendi ynë mund ta bëjë këtë nuk e përjashtonte as një shkrim i gazetës Le monde që mbante datën e sotme dhe as burime autoritare nga Brukseli qe folën për Lapsi.al.

Po pse Rama, që e mohon kategorikisht këtë gjë brenda Shqipërisë dha sinjalin e parë të gadishmërisë në Gjermani. Në këtë taktikë nuk ka asgjë të rastësishme. Gjithçka është llogaritur si një pazar i orës së fundit dhe e tëra varet nga kriza e fundit që është hapur në Europë.

Rreziku i rënies së Merkelit

Që prej kësaj të hëne kancelarja gjermane Anxhela Merkel është futur në një krizë që mun t’i rrezikojë edhe karrigën e vet. Ministri i saj i brendëshëm, pjesë e partisë aleate me CDU-ne e Merkelit, Horst Seehofer i CSU-së, i ka dhënë ultimatumin shefes së vet se do të fillojë përzënien e kërkuesve të azilit që janë në Gjermani. Ky precedent i rrezikshëm që vë në pikpyetje autoritetin e kancelares, po aq sa edhe solidaritetin e BE-se, ka hapur një krizë të madhe mes Kristian Demokratëve të saj dhe aleatit të tyre bavarez. Më në fund, pas tratativash të shumta, Merkel ka arritur të fitojë edhe disa ditë kohë duke i premtuar aleatëve të vet se do të gjejë një zgjidhje për këtë krizë, në samitin e vendeve të BE në 28 qershor në Bruksel. Pra pikërisht në të njëjtin vend ku do të diskutohet edhe fati i negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Kriza që shkaktuan populistët në Itali

Por, problem të brendëshëm me emigrantët që kërkojnë azil nuk ka vetëm Gjermania. Qeveria e re italiane me ministër të brendëshëm ksenofobin Salvini dha pak ditë më parë një shembull të qartë se do ti mbyllë dyert për emigrantët që zbarkojnë në vendin e saj. Moslejimi i anijes Aquarius që të ankorohej në Itali shkaktoi një skandal në Europë. Qeveria e re do të shkojë edhe më tej. Ajo kërkon rishikimin e traktatit “Dublin 3” që i detyron shtetet që presin emigrant, siç janë kryesisht Italia dhe Greqia t’i regjistrojnë ata në vendin e tyre. Pra Europa po kërkon t’i nxjerrë jashtë kufijve të saj ata që vijnë të kërkojnë mbrojtje dhe siguri jete në kontinentin e vjetër, dukr thyer parimin e saj më të shenjtë atë të solidaritetit.

Divergjencat brenda BE

Ky parim është shkallmuar ndjeshëm edhe nga këmbëngulja e vendeve të reja si Polonia dhe Hungaria për të zbatuar marveshjen e kuotave të paranimit të azilantëve. Pra që ata që zbarkojnë në brigjet e kontinentit të shpërndahen më pas në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet e BE. Jo më larg se pak ditë më pare, kryeministri hungarez Viktor Orban ripërsëriti qëndrimin e tij duke deklaruar se “asnjë nga aktet themeluese të BE nuk parasheh që një nga vendet anëtare të bëhet tokë emigrantësh”.

Pra me krizën brenda koalicionit qeveritar në Gjermani, me shock-un e ardhjes në Itali të një qeverie ksenofobe dhe me kontradiktat e thella brenda vetë vendeve anëtare, kriza e emigrantëve është shndërruar në shqetësimin kryesor të ditës.

“Cfarë duhet bërë për të shpëtuar njëkohësisht edhe Zonjën Merkel edhe aparencat e BE-së”- pyeste gazeta Le Monde e kësaj të mërkure?

Dhe përgjigja ishte: “Disa vendimarrës në Bruksel po marrin në konsideratë një propozim të hedhur nga Danimarka dhe Austria për krijimin e kampeve të refugjatëve në Ballkanin perendimor, edhe pikërisht në Shqipëri” shkruan Le Monde (lexo shkrimin poshte) e cila precizon edhe aktivitetin e këtyre kampeve: ato do të shërbejnë për rregjistrimin dhe strehimin e azilkërkuesve dhe për shkarkimin e anijeve si ato të rastit Aquarius që Italia nuk e pranoi deri sa u detyrua të ankorojë në Spanjë.

Shtegu që po kërkon Rama

Pikërisht me këtë nevojë dëshpëruese për të zgjidhur këtë krizë të madhe europiane po mundohet të luajë Edi Rama. Ai është i ndërgjegjshëm se Merkeli do me patjetër një zgjidhje në samitin e Brukselit në 28 qershor, sepse përndryshe i rrezikohet pushteti. Ai e di se Makron nuk do më të përballet me probleme si ato që i hapi qeveria e populistëve italianë.

Prandaj ai po luan kartën ekstreme që i erdhi së fundi në dorë: “më hapni negociatat, tj’u heq nga supet barrën e azilantëve”.

Rama e di se po e fitoi këtë betejë, pra po arriti t’i bindë vendet e BE për ta bërë Shqipërinë koshin e gjithë mjerimit të botës, ai ka dy përfitime. Së pari ai merr bonusin politik të hapjes së negociatave të cilat deri më tani është vendosur t’i jepeshin pa datë të përcaktuar. Dhe së dyti, në afatgjatë, ai është i ndërgjegjshëm se kryeministri i një vendi që i zgjidh këtë hall Europës merr tjetër peshë karshi homologëve të tij. Ai e di mirë si ndryshoi qëndrimi ndaj despotizmit të Erdoganit, kur pranoi të strehonte valën e parë të refugjatëve sirianë dhe irakenë.

Prandaj për interestat e tij ekskluzive, Edi Rama po e luan me mish dhe me shpirt këtë shans të minutës së fundit duke i çuar edhe mesazhe mediatike Gjermanisë.