Prapaskenat/ Opozita e kërkoi dialogun fill pas zgjedhjeve, Rama s’pyet as për OSBE

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka kërkuar ngritjen e një grupi negociator nga opozita për t’u ulur me mazhorancën për reformën zgjedhore.

I ftuar në RTV Ora, Mediu deklaroi se opozita ka qenë dakord për një dialog me mazhorancën të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët pas 30 qershorit, por një gjë e tillë është refuzuar nga Rama.

Mediu: Duhet të ketë negocim pozitë dhe opozitë. Basha nuk ka thënë se nuk është për dialog. Faktori ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 30 qershorit donte të facilonte një dialog mes pozitës dhe opozitës. Bashkë me zotin Basha në të gjitha takimet që kemi zhvilluar, më tej dhe me zonjën Kryemadhi kemi rënë dakord që duhet të ketë një dialog të facilituar nga ndërkombëtarët. Ai që nuk ka qenë dakord ka qenë Caka i Ramës dhe Rama i Cakës. Këta të dy kanë refuzuar kërkesën e OSBE për këtë çështje. Ne kemi vazhduar të kërkojmë që të ketë një dialog sepse dialogu i shërben interesit të vendit.

Deklaratat e Mininistrit të Jashtën në detyrë, Gent Cakaj, lidhur me raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet i cilësoi të papërgjegjshme.

Mediu: Gent Cakaj, zëdhënësi i Ramës që nuk e shoh për Ministër. As nuk di se çfarë flet, as nuk di se ku është as nuk e di çfarë bën për fat të keq. Papërgjergjshmëri totale, një lexim alla Gent Cakaj i raportit ku problemi ishte opozita dhe jo paligjshmëria. Nuk e di se çfarë pune bën ky njeri në këtë moment sot përveçse del dhe reciton në mënyrë të papërgjegjshme një gjë të pavërtetë duke ndërtuar një raport alla Rama për të hedhur baltë dhe shpifur disa gjëra krejt të pavërteta.

Një koment pati edhe për protestat.

Mediu: Basha tha se protesta nuk është qëllim në vetëvete, opozita nuk është vetëm protestë. Duhet të riformatojë sa më shpejt vendimmarrjen, raportin ndërkombëtar, aksionin politik, duhet të ketë një nivel tjetër të përfaqësimit diplomatik, duhet të gjejë rrugët e zgjidhjes për reforma të rëndësishme. Ideja e Bashës ishte që duhet të ketë platformë. Ne patjetër në radhë të parë duhet të strukturojmë vetëveten.Të mos ecim vetëm me idenë vlen apo nuk vlen kryeministri dhe qeveria.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne