Premtoi terminal autobuzësh, nisi ndërtimin e një qendre tregëtare

Më 21 shtator 2018, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj me anë të një postimi në Twitter njoftoi për ndërtimin e një terminali autobusësh në hyrje të qytetit të Tiranës.

“Jemi gati për ‘Tirana West Terminal’. Javën tjetër nisim Terminalin e Autobusëve interurbanë në zonën perëndimore të qytetit që zgjidh përfundimisht hyrje-daljet në Tiranë dhe lidhjen multimodale me bus/biçi/taxi në pjesën tjetër të qytetit!”, shkruante kryebashkiaku në Twitter.

Premtimi i Veliaj për një park autobusash

Terminali i Autobusëve do të ngrihej në pjesën hyrëse të Tiranës, nga ana perëndimore, që sipas Veliajt do t’i jepte zgjidhje hyrje-daljeve të autobusëve në Tiranë dhe shpërndarjen e pasagjerëve nëpërmjet mjeteve të tjera të transportit.

Imazhet 3D të parkut që do të ndërtohej

Sipas njoftimit të Veliaj punimet do të fillonin për një javë, pra rreth datën 27-28 shtator. Por siç duket edhe nga pamjet, punimet në vendin ku duhet të ngrihej parku i autobusave ka filluar, veçse jo për një terminal.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=yc5YnX1wcys]

Punimet kanë filluar për një qendër tregtare dy-katëshe, me një kat nëntokësor për parkim dhe me sipërfaqe ndërtimi 19.290 m2. Leja e ndërtimit për këtë objekt është dhënë më 31 tetor të vitit 2018, pra diku më shumë se një muaj pas lajmërimit të kryebashkiakut Veliaj.

Njoftimi për punimet

Data e fillimit të punimeve për këtë qendër tregtare figuron vetëm 2 ditë më parë më 7 shkurt 2019 dhe afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj pas datës së nisjes së këtij projekti. Mbikqyrës i ndërtimeve është shoqëria “Ersi” ndërsa qendra është në pronësi dhe zhvillim të Shoqërisë “Elkos” shpk. Ende nuk dihet se ç’u bë me premtimin e kryebashkiakut Veliaj për një park autobusësh dhe se përse në vend të tij po ndërtohet një qendër tregtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne