Presidenca “dorovit” tezën Soros për votën e Shqipërisë në OKB

Duket se opozita parlamentare shqiptare e me të edhe presidenca e Ilir Metës do ta përdorë votimin e Shqipërisë në OKB për Jeruzalemin si një pedan për të ndërtuar një aksion që mund të afektojë raportet me ShBA-në. Letra e presidentit të Republikës, Ilir Meta për presidentin Trump është akti kulminant që po pasohet nga një propagandë shpjeguese për psenë e votës së qeverisë.

Një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës, Ilir Kulla, i konsideruar përgjithësisht si ekspert i çështjeve të sigurisë, ka folur në studion e Report Tv, duke rekomanduar për publikun po atë shpjegim që aludohet nga qarqe pranë opozitës.

Vota e Shqipërisë në OKB nuk është një pasojë e lojës së Turqisë, që sipas Kullës nuk ka atë fuqi, por e një organizimi në shkallë të gjerë për të delegjitimuar politikën e jashtme të presidentit të ShBA, Donald Trump. Kulla ka dalë tek teza Soros dhe te konflikti që po ndodh sot në Departamentin e Shtetit mes njerëzve të Clinton dhe sekretarit Rex Tillerson, një aludim ky i qartë për ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Është e njohur përpjekja e opozitës për të ndarë qëndrimet e Lu me ato të Shtëpisë së Bardhë, çka riciklohet këtu si argument për të infektuar një votë që duket se po mësyhet si objektiv sulmi politik.

Kjo për pjesën e lojës politike ku eksperti ka hyrë qëllimisht. Më tej Kulla ka vijuar me analiza të “holla” logjike si pyetja që nuk kapërdihet: A do vijojmë ta njohim Izraelin? Pyetje pa sens sa kohë që OKB sanksionoi se statusi i Jeruzalemit nuk ndryshon.

Ajo që vlen të sillet në vëmendje në këtë rast nuk është vlera e komenteve të ekspertit, por inkuadrimi i qëllimshëm i tyre në kontekstin e luftës politike të ditës. Kjo sa për të kuptuar se çfarë ekspertësh qarkullojnë në Shqipëri. E mira e kësaj pune është se këto ekspertiza zbulojnë lojën e opozitës, përpjekjet e saj, por pa na bindur nëse në votën e qeverisë ka ndikuar vërtet Sorosi, Turqia, apo ka qenë një vendim me bindje. Në fund të fundit këtë duhet të bënte një ekspert.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne