Bota Opinion

Presidenti Al-Bashir “thyen shkopin” e bindjes ndaj aleatëve të tij sauditë, kundërshton luftën kundër Iranit dhe deklaron atë kundër Amerikës

Çfarë po ndodh? A do të jetë vendimi i tij i ardhshëm tërheqja e forcave të tij nga Jemeni? A është mbështetja e tij për vazhdimësinë e Asadit “inversion” ndaj lëvizjes “Vëllazëria Myslimane”? Dhe kush është përgjegjësi, Erdogani apo Putini?

Abdul-Bari Atuan

Kur presidenti sudanez Omar al-Bashir, pas një takimi me homologun e tij rus Vladimir Putin, shpall nga Moska kundërshtimin e tij ndaj çdo konfrontimi ushtarak apo politik ndërmjet arabëve dhe Iranit, dhe se shkak për krizat që po përjeton rajoni janë ndërhyrjet amerikane dhe evropiane të cilat kanë kontribuar edhe në ndarjen e Sudanit, kjo do të thotë lëvizje korrigjuese ndaj inversionit të tij të dytë – i cili habiti shumë njerëz kur ai e zhyti Sudanin në luftën e Jemenit e u rreshtua me kampin amerikan dhe planet e tij për ndarjen e rajonit – si dhe rikthim të vendit të tij në pozitën e vërtetë që i takon, sërish në qendër të boshtit të rezistencës.

Presidenti al-Bashir jetoi në humbëtirën e një labirinti për disa vjet dhe besoi gabueshëm se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre arabë kanë një ilaç shërues për të gjitha problemet e Sudanit dhe krizat e tij. Kështu, ai u soll rrotull këtij kampi dhe anoi ekstremisht kah ai. Madje, ai frymëzoi një nga ministrat më të shquar të qeverisë së tij, z. Mubarak al-Fadil, për t’i thurur lavde normalizimit me shtetin pushtues izraelit dhe për të listuar përfitimet e vendosjes së marrëdhënieve tregtare e politike me të, duke mbajtur një qëndrim që shkaktoi goditje për shumicën dërrmuese të popullit sudanez para vëllezërve të tij arabë.

Qëndrimet e presidentit al-Bashir, udhëheqës i Frontit të Shpëtimit të Sudanit, erdhën si “një kamerdare shpëtimi” për të dhe si një përpjekje për një devijim të shpejtë nga ana e tij ndaj një periudhe kakofonie në historinë e tij dhe historinë e popullit të Sudanit, popullit të “tri JO-ve”, i cili konsiderohet si një nga popujt arabë e islamikë më përkrahës të drejtësisë dhe çështjeve të drejta, sidomos të Palestinës së pushtuar.

***

Përkimi në kohë i këtyre deklaratave – kundërshtuese të luftës ndaj Iranit – të presidentit al-Bashir dhe diagnozës së tragjedive e krizave të kombit arab duke i lidhur ato me ndërhyrjet amerikane, me disa deklarata më të fuqishme dhe më sfiduese të bëra nga princi Mohammed bin Selman, Princi i Kurorës saudite, nëpërmjet të cilave ai e përshkroi Liderin Suprem Sejid Ali Khamenein si “Hitler” të ri që dëshiron shkatërrimin e rajonit; ky sinkronizim, sipas mendimit tonë nuk ka ndodhur rastësisht, as nuk është një lapsus, dhe, nuk ekzagjerojmë nëse themi se presidenti al-Bashir iu përgjigj qëllimshëm nga Moska aleatit të tij saudit dhe shpalli divorcin përfundimtar ndërmjet qeverisë së tij dhe aleancës “arabe”, si dhe luftërave të saj në Jemen.

Një pikë tjetër me rëndësi të madhe e që nuk mund të injorohet përmblidhet në fjalët e shqiptuara nga presidenti al-Bashir pa asnjë ekuivok a paqartësi: “Nuk ka paqe në Siri pa vazhdimësinë në pushtet të presidentit Bashar al-Asad”. Presidenti al-Bashir drejton një qeveri, legjitimiteti dhe vazhdimësia e së cilës zgjatet nga përkatësia e partisë sudaneze në pushtet ndaj Lëvizjes “Vëllazëria Myslimane”, një lëvizje që ka luajtur një rol të madh në ndezjen e fitilit të luftës ushtarake në Siri dhe e bëri qëllimin e rënies së regjimit sirian në krye të prioriteteve të saj politike, ushtarake e ideologjike.

Ky është proces rishqyrtimi i një ideologjie “ikhvaniste” sudaneze që pasqyron një gjendje vërtetësie e cila ri-korrigjon një politikë që zgjati shtatë vjet – sa ç’është edhe mosha e krizës siriane – dhe nuk përjashtojmë të jetë një prelud apo pjesë e një procesi gjithëpërfshirës korrigjimi të “lëvizjes amë”, që nisi nga Stambolli në duart e presidentit Rexhep Taip Erdogan – kumbari i “Islamit politik” në imazhin e tij modern ikhvanist – dhe jehona e të cilit filloi të reflektojë në disa ndryshime të shpejta në Partinë e Rilindjes Tuniziane, Lëvizjen Reformiste të Jemenit dhe Hamas-in palestinez.

Presidenti Erdogan, në përfundim të samitit strategjik trepalësh në Soçi që e bashkoi atë me dy homologët e tij, atë rus e iranian, befasoi shumë njerëz kur u tha gazetarëve që ishin në bordin e avionit të tij në rrugën e tij të kthimit për në Ankara duke theksuar se ai nuk ishte në kundërshtim me hapjen e një dialogu me qeverinë siriane në Damask. Ndoshta ky mesazh i qartë në fjalorin dhe kohën e tij i ka mbërritur presidentit al-Bashir – siç u ka mbërritur shumë njerëzve në radhët e rrymës ikhvaniste – dhe jep një sinjal për pashmangshmërinë e ndryshimit dhe kalimin në një fazë të re të titulluar “drejtimi i treguesit të busullës kah Moska dhe kah udhëheqja e re globale e presidentit Putin” si domosdoshmëri e përballjes me atë projekt dhe aleatët e tij duke e trajtuar si një “detyrë parësore” dhe jo vetëm si slogane boshe.

***

Boshti amerikano-izraelit në rajon arab po dridhet dhe gurët e tij kanë filluar të rrënohen njëri pas tjetrit në Sudan, në Liban, në Irak, në Siri dhe në Jemen. Ne e falënderojmë Zotin që muaji i tij i mjaltit nuk zgjati shumë, edhe pse humbjet e mëdha nuk mund të mohohen, por qesh mirë ai që qesh i fundit.

E mirëpresim presidentin al-Bashir sërish në llogoren e tij të natyrshme – një llogore më patriotike, më e ndershme dhe më dinjitoze – dhe shpresojmë që kjo pendesë e tij të jetë e sinqertë e të lajë papastërtitë e “aventurës” së tij që e transferoi atë në një llogore tjetër, e cila nuk i kishte hije as atij, as Sudanit dhe as popullit të tij. Shpresojmë që pendesa të jetë paralele me një revolucion të ri reformist në brendësi të Sudanit, që të shkatërrojë korrupsionin, të lëshojë liritë dhe të rivendosë unitetin kombëtar në kulmin e tij.

Sipas mendimit tonë, ajo që do të bëjë dallimin do të jetë pozicioni i Sudanit ndaj luftës së Jemenit dhe vazhdimësisë apo jo të qëndrimit në koalicionin arab, drejt të cilit e humbi rrugën. Por ne besojmë se premisat e sakta çojnë në konkluzionet më të sakta. Sipas mendimit tonë, kjo përputhet me deklaratat e tij në Moskë.

Tërheqja e forcave sudaneze nga lufta në Jemen është e afërt, nëse nuk ka filluar ende… Ditët janë mes nesh.

*Analizë e publikuar më datë 25.11.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT