Presidenti Erdogan bën kallëzim penal kundër ish-zyrtarit të Pentagonit

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), paraqiti të premten një kallëzim penal kundër ish-zyrtarit të Pentagonit, Majkëll Ruben (Michael Rubin).

Dorëzuar në Prokurorinë e Ankarasë nga avokati Hysejin Ajdën (Hüseyin Aydın), që mbron të drejtat e Erdoanit, kallëzimi penal me nëntë faqe akuzon Rubenin – një analist i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes (AEI) – “për fyerje të presidentit” dhe “për kryerje të veprave penale në emër të organizatës”.

“Akuzat e palogjikshme të Rubenit dhe postimet fyese (në rrjetet sociale) nuk janë vetëm një pasqyrim i urrejtjes dhe i zemërimit të tij ndaj Presidentit Erdoan, por edhe i armiqësisë kundër Republikës së Turqisë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e kallëzimit penal.

Majkëll Ruben akuzohet gjithashtu për mbështetje dhe kryerje të veprave penale për organizatën terroriste gyleniste (FETO), autore e tentativës për grusht shteti të 15 korrikut (2016), me pasojë 250 të vrarë dhe rreth 2.200 të plagosur.

Avokati i Presidentit Erdoan thekson se deklaratat e Rubenit nuk mund të vlerësohen në kuadër të lirisë së shprehjes duke kërkuar hapjen e një hetimi publik kundrejt tij.

Ish-zyrtari i Pentagonit ka tërhequr reagimin e shumë rretheve të ndryshme me shkrimet e tij në lidhje me procesin e grushtit të dështuar të 15 korrikut në Turqi.

Në rubrikat dhe postimet e tij, Rubeni akuzon presidentin turk për shfrytëzim të tentativës për grusht shteti “për të pastruar shoqërinë nga kundërshtarët politikë dhe ideologjikë të tij”.

“Mbështetja për Erdoanin nuk është në asnjë mënyrë mbështetje për islamin dhe dinjitetin turk. Përkrahja e Erdoanit do të jetë një mbështetje për korrupsionin dhe rënien e Turqisë”, ka shkruar ai në një postim në gjuhën turke.

Kurse në një artikull tjetër në faqen e internetit të “AEI”, ish-zyrtari i Pentagonit shkruan se “Erdoani nuk duhet të fajësojë askënd për tentativën e grushtit të shtetit, përveçse veten e tij”, duke pretenduar se politika e jashtme e presidentit turk “zero probleme me fqinjët” ka shkaktuar probleme “me pothuajse çdo fqinj”.

Sërish nëpërmjet portalit “AEI”, në një artikull të titulluar “Të ekstradohet Gyleni? Me të vërtetë?”, Rubeni ka shkruar se “ajo që po ndodh nuk ka të bëjë me Gylenin, por është një lojë për pushtet (e Erdoanit)”.

Udhëheqësi i FETO-s me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fetullah Gylen (Fetullah Gülen), akuzohet se ka drejtuar një fushatë të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet infiltrimit në institucionet kyçe të Turqisë, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor, duke formuar të ashtuquajturin shtet paralel.

Gyleni jeton në Pensilvani të SHBA-së që nga viti 1999 e këtej./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne