Presidenti Erdogan: Me strategjinë e re do ti shkatërrojmë terroristët

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan theksoi arritjet e operacionit ushtarak në rajonin e Afrinit në veriperëndim të Sirisë, duke njoftuar se 415 kilometra katrorë aktualisht janë marrë nën kontroll dhe se mbi 1.800 terroristë janë neutralizuar.

“Kemi neutralizuar 1.873 terroristë dhe kemi nën kontroll një sipërfaqe prej 415 kilometrash katrorë”, tha Erdoğan duke folur në një takim me krerët provincialë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në kryeqytetin Ankara.

“Do ta vazhdojmë me një strategji të re operacionin pasi ta rrethojmë së shpejti qendrën qytetit të Afrinit dhe të ndërpresim kontaktet e jashtme të terroristëve”, tha presidenti i Turqisë.

Erdoğan u shpreh se Turqia pret që pjesa e ngelur e operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin të vazhdojë më shpejt, pasi kodrat strategjike në rajon janë pastruar nga terroristët.

“Pasi aktualisht ushtarët tanë kanë pastruar në masë të madhe nga terroristët kodrat mbizotëruese në rajon, presim që pjesa e ardhshme e operacionit të vazhdojë më shpejtë me lejen e Zotit”, tha Erdoğan.

Ndër te tjera, presidenti turk theksoi se ushtarët turq janë duke shkatërruar fortifikimet që organizata separatiste terroriste ka përgatitur për sulme kundër Turqisë.

“Së pari do ta pastrojmë Munbixhin nga terroristët dhe pastaj do të vazhdojmë rrugën derisa ta bëjmë tërë perëndimin e Eufratit të sigurt për ne dhe vëllezërit tanë sirianë”, shtoi Erdoğan.

Më 20 janar, Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.

Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.

Sipas shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne