Presidenti Erdogan: “Tërheqja e ushtarëve amerikanë, pozitive”

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një konferencë shtypi në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit para nisjes së tij për në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, ku ai do të marrë pjesë në samitin e 7-të të “Këshillit Turk”.

Ai theksoi se Samiti i 7-të i Këshillit të vendeve turqishtfolëse do të zërë vend në histori për shumë aspekte.

“Konsolidimi përditë e më shumë i solidaritetit brenda botës turke dhe forcimi i bashkëpunimit tonë janë një burim krenarie për ne”,- tha ai.

Presidenti turk tha se në samit, ata do të japin informacion gjithëpërfshirës për operacionin «Burimi i Paqes», i nisur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me mbështetjen e Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) kundër organizatave terroriste YPG/PKK dhe DAESH në veri të Sirisë me qëllim shkatërrimin e korridorit terrorist në kufirin jugor të Turqisë dhe rivendosjen e paqes dhe qetësisë në këtë rajon.

“Aktualisht, me qasjen pozitive edhe të Rusisë duket se nuk do të ketë probleme në Kobane. Ndërsa në lidhje me Menbixhin, ne jemi duke zbatuar vendimin që kemi marrë më parë”,- tha Erdoan në lidhje me situatën e Kobanit në operacionin «Burimi i Paqes».

Ai vlerësoi edhe manipulimet e shtypit të huaj në lidhje me këtë operacion.

“Ata gjithmonë kanë ndjekur të njëjtën taktikë. Ata do të ekspozojnë aftësitë e tyre, pandershmërinë e tyre, kurse ne do të përpiqemi të sqarojmë të vërtetën. Kjo nuk duhet të na dekurajojë”,- theksoi kreu i shtetit turk.

Erdoan u shpreh me tone pozitive mbi tërheqjen e trupave amerikane në jug të Sirisë.

“Është një zhvillim pozitiv. Të dielën bisedova me kancelaren gjermane Angela Merkel, kurse të shtunën me kryeministrin britanik Boris Johnson. Kam konstatuar gjatë këtyre bisedave se ata janë nën presionin e një dezinformomi të përmasave serioze dhe se ata nuk janë në dijeni të shumë fakteve. Unë u thashë atyre të vërtetën”, shtoi Erdoan.

“Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë në asnjë rajon me kurdët. Ne jemi një shtet. Përballë kemi një organizatë terroriste. Prandaj, nuk është një luftë, por përpjekje kundër organizatës terroriste”,- shpjegoi ai.

Erdoan iu drejtua edhe qarqeve që kanë bërë deklarata negative për operacionin.

“Ju do të mbështesni aleatin tuaj të NATO-s apo këta terroristë? Kur u bëjmë atyre këtë pyetje, ata nuk kanë përgjigje. Pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg është shumë i ndryshëm nga ai i disa prej vendeve anëtare”,- përfundoi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne