Presidenti i Koresë së Jugut arriti në Phenian

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in arriti në Phenian në samitin e tretë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, lideri verikorean ka pritur presidentin Moon në Aeroportin Ndërkombëtar Sunan në Phenian.

Të dy liderët u përqafuan në aeroport, ndërkaq kaluan në Paekhwawon, shtëpinë shtetërore për mysafirë, duke e përshëndetur turmën në rrugët e kryeqytetit nga automjetet e tyre.

Në vizitën e tij në Korenë e Veriut, Moon shoqërohet nga bashkëshortja e tij Kim Jung-sook dhe rreth 110 zyrtarë të Koresë së Jugut. Të dielën, një ekip prej më shumë se 90 zyrtarësh të Koresë së Jugut arritën në Phenian.

Në kuadër të vizitës së tij tre ditore, pritet që presidenti i Koresë së Jugut Moon të vendoset në Paekhwawon dhe të dy liderët të mbajnë takimin e parë zyrtarë pas drekës.

Pritet që në takimin e sotëm dy presidentët të diskutojnë për pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore.

Moon dhe Kim pas samitit historik të mbajtur në muajin prill janë takuar më 26 maj ku diskutuan për procesin e paqes mes dy vendeve. Me vizitën e Moon, dy liderët do të zhvillojnë takimin e tretë të përbashkët gjatë vitit 2018.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne