Presidenti i Venezuelës i shpëtoi atentatit me dronë me bomba

Ndaj Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro u ndërmor një atentat me dronë me bomba gjatë kohës deri sa ai ishte duke mbajtur një fjalim në një ceremoni të organizuar në kryeqytetin Karakas.

Sipas lajmit që përcjell shtëpia mediatike angleze BBC, Presidenti Maduro nuk u lëndua në këtë sulm.

Ministri i Komunikacionit i Venezuelës, Jorgi Rodriguez deklaroi se në objektiv të sulmit ka qenë Presidenti Maduro dhe se në këtë sulm u plagosën 7 ushtarë.

Në fjalimin e tij drejtuar popullit të bërë pas sulmit, Presidenti Maduro tha se “Kjo ishte një tentativë për të më vrarë, sot ndaj meje u ndërmor një atentat”.

Duke vënë në dukje se në bazë të provave të mbledhura deri më tani sulmi është kryer nga e djathta ekstreme, Maduro tha se agresorët janë të lidhur me Bogota-n dhe Miami-n.

“Disa nga përgjegjësit për sulmin, që në objektiv kishte jetën time, janë kapur”, bëri të ditur Maduro, ndërsa nuk dha më shumë detaje.

Edhe Kryetari i Kuvendit Kombëtar të Venezuelës, Diosdado Cabello nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter këtë ngjarje e cilësoi si “sulm terrorist”.

“Djathtistët, të cilët kanë humbur në zgjedhje, janë të vendosur për të vazhduar me dhunë në vendet publike”, deklaroi Cabello.

Në anën tjetër një grup që veten e quan “Ushtarë të veshur me fanela”, nëpërmjet një postimi të bërë në Twitter, e mori përsipër përgjegjësinë për sulm.

Ndërkaq nuk u dhanë informata të hollësishme për grupin e panjohur deri më tani./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne