Bota

Presidenti iranian e quajti Izraelin “tumor kancerogjen”

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani e quajti Izraelin një “tumor kancerogjen” të krijuar nga vendet perëndimore për të çuar përpara interesat e tyre në Lindjen e Mesme.

Udhëheqësit e Iranit shpesh e dënojnë Izraelin dhe parashikojnë dorëzimin e tij, por Rouhani, një udhëheqës relativisht i moderuar, rrallë përdor një retorikë të tillë.

Gjatë adresimit të tij të sotëm në konferencën vjetore të Unitetit Islamik, Rouhani tha se “një nga rezultatet ogurzeza të Luftës së Dytë Botërore ishte formimi i një tumori kancerogjen në rajon”. Ai vazhdoi t’i referohej Izraelit si një “regjim i rremë” i krijuar nga vendet perëndimore.

Irani mbështet grupe militante si Hezbollahu dhe Hamasi që janë betuar për shkatërrimin e Izraelit. Irani kurrë nuk ka kërcënuar të sulmojë Izraelin, por është zotuar të hakmerret në rast se sulmohet. Izraeli e sheh Iranin si një kërcënim real.

Rouhani tha se SHBA-të kultivojnë lidhje të ngushta me “kombet rajonale muslimane” për të mbrojtur Izraelin, gjë që i referohet rivialit të saj rajonal, Arabisë Saudite dhe aleatëve arabë sunitë të mbretërisë. Ai tha se përkulja ndaj presionit amerikan ka kaluar në “tradhti”.

Ai më tej shtoi se megjithatë, Irani ishte i përgatitur për të mbrojtur Arabinë Saudite nga “terrorizmi dhe superfuqitë”.

“Ne ju konsiderojmë si vëllezër”, tha ai. “Ne e konsiderojmë popullin e Mekës dhe të Medinës si vëllezërit tanë”, shtoi ai, duke iu referuar dy qyteteve më të shenjta islame në Arabinë Saudite.

Arabia Saudite ka shkëputur lidhjet diplomatike me Iranin pothuajse tre vjet më parë pasi protestuesit iranianë sulmuan qendrat e saj diplomatike në Iran si reagim ndaj ekzekutimit që sauditët bënë ndaj një kleriku të shquar shiit. Të dy vendet mbështesin palët e kundërta në luftërat në Siri dhe Jemen./ AA

OPINIONE