Presidenti iranian kundërshton dorëheqjen e ministrit të Jashtëm

Presidenti Iranian, Hasan Rohani ka kundërshtuar dorëheqjen e Mohammad Javad Zarif nga pozita e ministrit të Jashtëm, ndonëse ai është kritikuar për qasjen që ka pasur me liderët botërorë kur Teherani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore më 2015.

Zarif ka thënë se diplomacia e Iranit është duke u “helmuar” nga konfliktet e brendshme politike, një ditë pasi ka ofruar dorëheqjen nga pozita që ka aktualisht.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë për një gazetë, të cilën e ka realizuar para se të njoftonte se do të jepte dorëheqje.

Ai ka kërkuar falje për të gjitha “mangësitë” që mund t’i ketë pasur.

Zarif, një diplomat veteran, i edukuar në Shtetet e Bashkuara, nuk ka dhënë ndonjë arsye për dorëheqje kur ka bërë këtë njoftim të hënën në rrjetin social, Instagram.

Ndërkohë Rohani ka përdorur po ashtu këtë rrjet social për të treguar kundërshtimin e tij ndaj largimit të Zarifit.

Ai ka postuar një fotografi bashkë me ministrin e Jashtëm dhe mbishkrimin, “Zarif nuk është i vetëm” dhe “Zarif po qëndron”.

Edhe ministria e Jashtme e Iranit ka konfirmuar se Rohani nuk ka pranuar largimin e Zarifit, duke hedhur poshtë kështu raportimet në media për të kundërtën.

Rohani ka fituar zgjedhjet më 2013 dhe 2017, duke premtuar reforma në Iran, derisa lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është në pushtet nga viti 1989, dhe përkrahet nga grupe të linjës së ashpër.

Ndonëse Rohani emëron ministrat, Khamenei tradicionalisht e ka fjalën e fundit në këtë proces.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne