Rajoni

Presidenti Ivanov takon ministrin shtetëror për Punë të Jashtme të Katarit

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, priti në një takim, ministrin shtetëror për Punë të Jashtme të Katarit, Soltan bin Saad al-Muraikhi, ku shkëmbyen pikëpamjet mbi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik.

Siç njofton kabineti i presidentit të Maqedonisë, ministri shtetëror për Punë të Jashtme të Katarit e informoi presidentin Ivanov për sfidat aktuale me të cilat përballet Shteti i Katarit, ndërsa ka shprehur interes edhe për zhvillimet në Maqedoni.

Në vjim thuhet se presidenti Ivanov ka theksuar se Maqedonia me vëmendje të veçantë i njdek ngjarjet në rajon. “Shpresoj se Shteti i Katarit dhe udhëheqësit e rajonit përmes dialogut dhe angazhimit të përbashkët, në mënyrë paqësore do të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë”, ka thënë presidenti Ivanov.

Në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov bëhet e ditur se në takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, për realizimin e projekteve investuese, si dhe për nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor mes dy vendeve.

Presidenti Ivanov, gjithashtu ka mbështetur vendosjen e fluturimeve direkte nga Shkupi për në Doha nga ana e kompanisë ajrore “Qatar Airways”, si dhe ka shprehur shpresë se ajo do të japë një impuls pozitiv në përforcimin e marrëdhënieve të biznesit, turizmit dhe kulturës mes dy vendeve./ AA

OPINIONE