Presidenti pakistanez paralajmëron kundër imponimit të luftës

Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, ka deklaruar se vendi i tij do të mbrojë plotësisht veten nëse imponohet një luftë, pasi tensionet janë në rritje pas revokimit të statusit të veçantë të rajonit Xhamu dhe Kashmir të administruar nga India.

Siç raportojnë mediat lokale, presidenti Alvi tha se “muslimanët nuk duan luftë, por ne nuk do të tërhiqemi nëse jemi të detyruar”.

Duke u adresuar në një ceremoni të ngritjes së flamurit në Islamabad gjatë shënimit të 73-vjetorit të Pavarësisë së Pakistanit, Alvi theksoi angazhimin për kauzën e të drejtës së vetëvendosjes në rajonin Xhamu dhe Kashmir.

Ai paralajmëroi se lufta me Indinë nuk do të jetë e kufizuar midis dy vendeve, përkundrazi ndikimi i saj, sipas tij, do të ndihet në të gjithë botën.

“Ne jemi me popullin e Kashmirit dhe ata janë me ne. Vuajtja dhe pikëllimi i tyre ndikon tek ne”, tha Alvi, duke shtuar se “Pakistani nuk pranon përpjekjet për të ndryshuar përbërjen demografike të territorit të pushtuar”.

Dita e Pavarësisë u shënua si një ditë solidariteti me popullin e rajonit Xhamu dhe Kashmir. Për herë të parë, flamuri i Pakistanit dhe ai i Kashmirit të administruar nga Pakistani u ngritën mbi të gjitha ndërtesat qeveritare dhe private.

Presidenti u kërkua qytetarëve pakistanezë që të postonin video dhe fotografi në lidhje me Kashmirin.

“Ne nuk do t’i lëmë ata vetëm në asnjë hap. Populli i Kashmirit janë njerëzit tanë dhe dhimbjen e tyre e mendojmë si dhimbjen tonë”, tha Alvi.

Duke mbajtur flamuj pakistanezë dhe të Kashmirit, mijëra persona morën pjesë në mitingje solidariteti me Kashmirin në mbarë vendin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne