Presidenti që u mësoi amerikanëve urrejtjen ndaj muslimanëve, sot i kërkon Katarit që të mos u mësojë njerëzve urrejtjen

“Mjaft financuat, mos mësoni urrejtjen dhe mjaft vratë,” tha Presidenti i SHBA-së, Donald Trampi, gjatë një konference shtypi me presidentin rumun pas pohimit se Doha ka mbështetur ekstremistët islamikë.

“Asnjë financim tjetër,” theksoi Trampi. Komentet e tij vijnë pas thyerjes diplomatike të javës së kaluar midis Katarit dhe fuqive të mëdha të Lindjes së Mesme si Arabia Saudite dhe Egjipti.

“Niveli i lartë” i mbështetjes – qoftë financiar, logjistik apo moral – për grupet terroriste me origjinë nga Doha duhet të ndalet, tha presidenti.

“Unë dua t’u bëj thirrje të gjitha kombeve të ndalojnë menjëherë mbështetjen e terrorizmit”, përsëriti Trampi.

Trampi falenderoi Arabinë Saudite për mbajtjen e një samiti “historik” midis SHBA-së dhe më shumë se 50 vendeve, duke vënë në dukje se me shpresë kjo do të shërbejë si një platformë që shënon “fillimin e fundit të terrorizmit”. Megjithatë, ai nuk përmendi rolin e mirëdokumentuar të Rijadit në mbështetjen e ekstremistëve të dhunshëm në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Pas samitit, tha Trampi, “kombet u bashkuan dhe më folën për përballjen me Katarin lidhur me sjelljet e tij, kështu që ne kishim një vendim për të ndërmarrë. A të zgjidhnim rrugën e lehtë apo më në fund të ndërmerrnim një veprim të vështirë por të domosdoshëm?”

Më herët gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha: “Emiri i Katarit ka bërë përparim në ndalimin e mbështetjes financiare dhe në largimin e elementëve terroristë nga vendi i tij, por ai duhet të bëjë më shumë dhe ai duhet ta bëjë atë më shpejt”.

Javën e kaluar, Bahreini, Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pezulluan marrëdhëniet diplomatike me Katarin për shkak se sipas tyre vendi ka mbështetur terrorizmin. Jordania gjithashtu ka zbehur lidhjet me Katarin dhe ka mbyllur zyrat e Al Jazeeras në Amman. Kuvajti ka bërë përpjekje për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjen.

Rrjeti i Al Jazeeras, i financuar nga Katari, tha se në ditët pas bllokimit diplomatik kundër Katarit ishte gjendur nën një sulm masiv. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne