Presidenti Thaçi: Serbia ka kryer genocid në Kosovë, në asnjë rrethanë nuk do të ketë amnisti!

Një deklaratë e Baton Haxhiut në televizionin “T7”, ka shkaktuar reagime të shumta. Duke folur për një marrëveshje Kosovë-Serbi, Haxhiu tha se duhet të ketë një amnisti dy palëshe, pra të ketë një falje për krimet e luftës nga të dyja palët. Këtë, analisti e argumentoi me faktin se pas 20 vitesh nuk mund të dënohen më njerëz.

Sipas Baton Haxhiut, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë tre elementë.

“Kemi tre elemente që duhet t’i ketë marrëveshja. E Para, është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj. E dyta, ka të bëjë me amnistinë në të dy vendet, pas 20 vitesh s’kanë çfarë dënohen njerëzit. E treta, është definimi i Veriut“, tha Haxhiu.

Polemikat rreth kësaj deklarate, kanë bërë që edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të reagojë, duke u shprehur se nuk do të ketë një amnisti.

Thaçi tha se Serbia ka kryer genocid në Kosovë, ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë civilë, ende nuk dihet për fatin e të pagjeturve, ka kryer mbi 400 masakra mbi popullatën civile, ka vrarë mbi 1300 fëmijë, policia e ushtria serbe ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare, ndërsa ka dëbuar dhunshëm edhe mbi 1 milion qytetarë të Kosovës.

“Ky është një gjenocid i shtetit të Serbisë, për fat të keq ende i pandëshkuar në rrafshin ndërkombëtar dhe nga asnjë drejtësi lokale”, tha Thaçi.

Sipas tij, kjo heshtje ndërkombëtare nënkuptohet një lloj amnistie ndaj gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë.

“Por nuk do të ketë asnjë rrethanë, në asnjë kohë, nga askush amnisti përballë krimit dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid dhe këto krime të ndëshkohen prej autoriteteve përkatëse të drejtësisë, lokale dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne