Presidenti Trump takohet me Keir Starmer në Skoci: Marrëveshja tregtare me Britaninë më e favorshme se me BE-në! Kina është sfiduese, por edhe ne jemi të fortë

Presidenti amerikan Donald Trump u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer gjatë vizitës së tij shtetërore në Britani, ku diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera të rëndësishme rajonale dhe globale.

Në një pyetje për median, Trump u shpreh se SHBA-ja ka një marrëveshje tregtare më të favorshme me Britaninë sesa me Bashkimin Evropian, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me këtë vend, sidomos pasi nëna e tij ka lindur aty. Ai shtoi se dëshiron që kjo pjesë e botës të ketë sukses dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në bisedë u trajtua edhe marrëveshja për tarifat me Kinën. Trump tha se negociatat vazhdojnë dhe se marrëdhëniet me Pekinin janë të forta, edhe pse sfiduese. “Kina është e fortë, ne jemi të fortë, dhe do të shohim se si do të ecë puna,” tha presidenti.

Sa i përket politikës së brendshme britanike, Trump u shpreh me respekt për kryeministrin Starmer dhe liderin e partisë Reform UK, Nigel Farage, duke theksuar se të dy janë “burra të mirë” megjithëse kanë qëndrime të ndryshme politike.

Kryeministri Starmer theksoi bashkëpunimin e ngushtë historik midis Britanisë dhe SHBA-së në fusha si mbrojtja, siguria dhe ndarja e inteligjencës. Ai vuri në dukje rëndësinë e qëndrimit të përbashkët në sfidat globale.

Në lidhje me vizitën shtetërore të Trump në Britani në shtator, presidenti u shpreh admirues për Mbretin Charles dhe stilin britanik të ceremonive, por kritikoi ashpër kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, për të cilin tha se ka bërë një punë të keqe. Kryeministri Starmer u përgjigj me humor duke thënë se Khan është një mik i tij.

Gjithashtu, gjatë vizitës pritet që Trump të takohet me Kryeministrin e Skocisë, John Swinney, ku do të diskutohet edhe çështja e pavarësisë së Skocisë. Starmer u shpreh se dëshiron një Skoci më të fortë brenda një Mbretërie të Bashkuar të bashkuar dhe të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, Trump bëri të ditur se do të shkurtojë afatin e mëparshëm prej 50 ditësh për Rusinë që të arrijë armëpushimin në Ukrainë, duke paralajmëruar se nëse nuk ketë marrëveshje, SHBA do të vendosë sanksione ose tarifa shtesë. Ai tha se nuk dëshiron të jetë i ashpër me Rusinë, pasi e do popullin rus.

Presidenti po ashtu foli për një plan të madh për barnat, duke theksuar dëshirën për të rikthyer prodhimin e tyre në SHBA, për të shmangur varësinë nga vendet e tjera, një mësim i nxjerrë edhe nga pandemia e COVID-19. Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Britaninë në këtë fushë.

Në biseda u trajtua edhe situata në Gaza, ku të dy liderët theksuan nevojën urgjente për armëpushim dhe ndihmë humanitare për civilët.

Takimi midis Trump dhe Starmer u përshëndet si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Britanisë, në një moment të sfidave të mëdha globale./Panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne