Presioni i Ramës mbi gazetarët e televizioneve

Në konferencën për shtyp të një dite më parë, teksa nxitoi ta ‘paketonte’ si sukses pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Triestes, edhe pse në raport me vendet e tjera projektet tona ishin të papërfillshme në vlerë, kryeministri Edi Rama shkoi edhe më tej kur kërkoi të bënte rolin e kryeredaktorit të lajmeve. Ai porositi gazetarët që kronikën ta përqëndronin te Samiti i Triestes, si dhe i ‘kërcënoi’ kur i tha që ‘kujdes se Fuga po i monitoron’.

“Do t’ju jepja mundësinë për të bërë pyetje, me marrëveshjen që kronikat do të fokusohen tek Samiti i Triestes dhe pastaj mund ta plotësoni me pyetje që s’kanë lidhje me konferencën e shtypit”, tha Rama.

Me pak fjalë Rama kërkonte që Samiti i Triestes, të mos mbahej mend vetëm për prezencën e tij të pazakontë me atlete të bardha, por të trumbetohej në media si një sukses i qeverisë për gjoja projektet e fituara. Dhe mesa duket ia arriti qëllimit. Mediat u vunë sërish totalisht në shërbim të propagandës së tij.

Lapsi.al vëzhgoi kronikat e televizioneve kryesore në vend për të kuptuar se si ato e kanë paraqitur kronikën për konferencën e kryeministrit. Pa asnjë përjashtim të gjitha kronikat e Top Channel, Tv Klan, Vizion Plus, Abc News, Report Tv e News 24 nisin me Samitin e Triestes, ndërsa më pas flitet edhe për çështje të tjera si ‘lista e zezë’ apo ministrat teknikë të PD-së. Pra, televizonet u treguan të përpiktë me porosinë e Kryeministrit.

Sigurisht jo nga dëshira e gazetarëve, por nga fakti se ata janë të vetëdijshëm për raportin që Rama ka me pronarët e televizioneve; të gjithë janë në shërbim të tij, të gjithë janë të kapur, sa me leje kioskash, me leje pallatesh, lincenca apo marrëveshje të tjera okulte.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne