Princi saudit Salman reagon ashpër ndaj ankesave të presidentit jemenas për EBA-të

Princi saudit i kurorës, Muhammed bin Salman ka reaguar ashpër kundër ankesave të presidentit të Jemenit, Abdrabbuh Mansur Hadi ndaj intervenimit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Jemen.

Sipas lajmit të mediave të Jemenit të bazuar në disa burime, Hadi i cili që nga viti 2015 jeton në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, ka kërkuar që të takohet me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz në lidhje me ndikimin e EBA-së në Jemen.

Princi bin Salman duke reaguar ashpër ndaj kësaj kërkese të Hadi-t, i dërgoi një mesazh atij nëpërmjet ambasadorit të Arabisë Saudite në Jemen, Muhammed al Jaber.

Salman duke rikujtuar se Hadi jeton në Rijad dhe legjitimiteti i tij mbështetet nga Arabia Saudite, e këshilloi Hadi-n duke i kërkuar “që të mos kalojë kufirin”.

“Mbreti Salman ka punë më të rëndësishme se sa ankesat e Hadi-t. Hadi dhe qeveria e tij duhet të shohin EBA-të si partner themelor i Koalicionit Arab dhe të mos shprehin intervenimin e tyre legjitim në Jemen”, tha Bin Salman duke kërkuar nga Hadi dhe nënsekretarët e tij që të mos japin deklarata për media në lidhje me rolin e EBA-së në Jemen.

– “EBA dhe Arabia Saudite e ndajnë Jemenin”

Këshilli i Tranzicionit Jugor (KTJ), në Jemenin e përfshirë nga paqëndrueshmëria politike një kohë të gjatë, i mbështetur nga EBA kishte shpallur më 26 prill të ashtuquajturën autonomi, por bota arabe dhe komuniteti ndërkombëtar reagoi ndaj kësaj.

KTJ më 19 qershor mori nën kontroll ishullin Sokotra në juglindje të Jemenit, ku kishte shpallur të ashtuquajturën autonomi, ndërsa njësitë e qeverisë ishin detyruar të tërhiqen.

Mokhtar er- Rahbi, sekretar në Ministrinë jemenase të Informacionit, në deklaratën e bërë muajin e kaluar nga Twitteri, në lidhje me EBA-të dhe Arabinë Saudite që intervenojnë në Jemen që nga marsi i vitit 2015 në mbështetje të qeverisë Hadi kundër Huthive pro-iranianë ka thënë:

“Vendet e koalicionit e ndajnë Jemenin. Arabia Saudite e mori Al-Mahran dhe Sokotran. Ndërsa EBA, Hadramaut, Aden dhe pjesën perëndimore të bregut. Koalicioni erdhi për rifitimin e legjitimitetit të Jemenit jo si një alternativë. Puçi i bërë në Aden u kontrollua nga Abu Dhabi. Ndërsa ajo në Sokotra nga Arabia Saudite”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne