Rajoni

Prishtina zyrtare dënon aktet vandale ndaj simboleve turke

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ku shihet se digjet flamuri i Turqisë, duke u shprehur se dënon fuqishëm çdo akt vandal që përdhos simbolet kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Turqisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson fuqishëm qëndrimin e saj kundër deklarimeve dhe gjuhës fyese ndaj Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në vendin tonë”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Duke theksuar se qeveria dënon fuqishëm çdo akt vandal që përdhos simbolet nacionale dhe shtetërore të Turqisë, në komunikatë thuhet se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe ka konsideratë të veçantë për bashkëpunimin e mirë me vendet që kanë njohur dhe ndihmuar pavarësinë e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës, thuhet më tej, “është e vendosur dhe kërkon nga organet e rendit të ndërmarrin të gjitha masat ndaj atyre që nuk respektojnë interesat shtetërore të Kosovës dhe ndaj atyre që prishin harmoninë dhe bashkëjetesën e qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

Reagimi i qeverisë ka ardhur pasi që në rrjete sociale është publikuar një video, ku disa qytetarë djegin flamurin e Turqisë dhe më pas e hedhin në tokë dhe e shkelin. Në videon e publikuar në rrjetin social Facebook shihet se personat në fjalë përdorin shprehje ofenduese ndaj Turqisë dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Po ashtu, në video shihet që personat që e djegin flamurin shprehen se janë “në përkrahje të Gjergj Dedajt”.

Kujtojmë se qeveria më parë kishte reaguar edhe ndaj deklaratave ofenduese të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj ndaj shtetit të Turqisë./ AA