Prishtinë, mbahet marshi për personat e zhdukur

Qindra familjarë të personave të zhdukur në Kosovë bashkë me udhëheqës institucionalë dhe qytetarë kanë marshuar në sheshet e Prishtinës në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi që filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, e ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi tek obelisku i personave të zhdukur para Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesi i familjarëve të të zhdukurve, Bajram Qerkini tha se familjet e personave të zhdukur sot, ashtu si më 30 gusht, si gjithë 20 vitet e tjera, kanë një plagë që nuk mund ta shërojnë, sepse nuk ndihmojnë as institucionet vendase, as ndërkombëtare.

“Gjithmonë po themi se adresa është në Serbi. Atë po e dinë edhe nxënësit në shkolla fillore. Por, si duhet t’i shtyjmë pa krahë. Si duhet ta shtyjmë (këtë) çështje pa ndihmë. Si duhet të mundohemi ta shtyjmë Serbinë të na tregojë ku i ka lënë (të zhdukurit). A e dini me kë? Me ata që na kanë çliruar. Me këta mysafirë që po rrinë sot këtu, me këta që po enden”, tha Qerkini.

Ndër familjet e të zhdukurve sot ishte Hasime Doqi nga Klina, e cila humbi burrin dhe djalin e saj gjatë luftës dhe ende është duke kërkuar djalin e saj. Djali i saj u zhduk më 6 maj të vitit 1999, kur ishte 27 vjeçar.

“Atë të gjallë nuk e presim. Po mirë por, si do që të jenë, t’i gjejmë, sepse ne tash e 20 vjet mbaruam. Mbaruam duke pritur, sot, apo nesër, sot apo nesër, më kurrë nuk po gjenden. Të gjithë jemi me vaj, me lotë në sy, me mërzi, na ka humbur udha në oborr. Se, më shkurt, s’mund të flas më shumë”, tha Doqi.

Koordinatori i Shoqatës së Familjeve të Zhdukur serbe në Kosovë, Milorad Trifunoviç, ishte gjithashtu me familjet e shqiptarëve të zhdukur në marshin e sotëm.

“Do të ishte më së miri nëse neve na ndihmojnë autorët e krimeve. Ata e dinë se ku janë bërë ato krime, se ku i kanë fshehur. Ne do të ishim të kënaqur atëherë kur t’i gjejmë eshtrat e tyre. Dhe mbi të gjitha bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë më së shumti, të hapë arkivat e tyre, të jepë imazhe nga aeroplanët e satelitët, ata i kanë të gjithat, kështu ne do t’i zbardhnim 50 për qind të fatit të tyre”, tha Trifunoviç.

Në Kosovë ende janë të zhdukur mbi 1.600 persona, fati i të cilëve ende nuk është zbuluar. Institucione relevante të Republikës së Kosovës së fundi i kërkuan Serbisë t’i hapë dokumentet e ushtrisë jugosllave, për të gjetur informacione rreth të zhdukurve./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne