Rajoni

Prishtinë, protestojnë punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës

Federata Sindikale e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) ka nisur protestën e paralajmëruar 24 orëshe para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë në Prishtinë me kërkesë nga institucionet që të shpëtohet kompania publike nga falimentimi.

Qindra punëtorë të PTK-së kanë marrë pjesë në këtë protestë me mesazhe të ndryshme të shkruara në pankarta, të tilla si “Qeveria duhet të jetë zot në shtëpinë e vet”, “Deputetë mbrojeni pasurinë e shtetit” dhe të tjera.

Protesta vjen pasi javën e kaluar kjo federatë njoftoi se një përmbarues për rastin e arbitrazhit ndërkombëtarë me kompaninë private “Dardaphone.net” (Z-Mobile) ka bllokuar xhirollogaritë e PTK-së, ndërsa ka marrë dhe 26 milionë euro nga llogaria e kompanisë publike me anë të përmbaruesit.

Kryetari i Sindikatës së PTK-së, Lahim Balaj, u ka bërë thirrje deputetëve që t’i mbrojnë punëtorët e kësaj kompanie dhe rreth 3.500 familje që mbahen nga puna në këtë kompani publike.

“Krimi i organizuar që e ka kapluar me vite Telekomin e Kosovës dhe secili prej juve është i informuar çfarë po ndodh me Telekomin e Kosovës, sot ua ka mbyllur dyert juve si shtet, ua ka mbyllur dyert 3.500 familjeve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ua ka mbyllur dyert juve deputetë, kryeministër, president e kryeparlamentarë ua ka mbyllur dyert dhe po ua humb nderin juve një person i cili në mënyrën më makabre dhe kriminale, ka arritur sot të na mbyllë llogaritë dhe t’i marrë ato para të buxhetit të shtetit të cilat ju i keni nxjerr në llogarinë e Telekomit për situatën e krijuar nga COVID-19”, theksoi Balaj.

Bashkim Dinaj, punëtor i PTK-së tash e 20 vjet, tha se ka dalë në protestë të shpreh pakënaqësinë lidhur me vendimin që është marrë për bllokimin e xhirollogarive nga “Z-Mobile”.

“Kërkesa jonë është që të zhbllokohen xhirollogaritë për arsye se ne nuk mund të funksionojmë si Telekom. Dhe, gjithashtu kërkesë e jona është edhe për deputetët. Në kohën kur ne kemi dhënë dividentë për shtetin atëherë kemi qenë të mirë, ndërsa tani një pjesë të madhe të përgjegjësisë dhe të fajit e kanë vetë këta që janë në parlament”, tha Dinaj.

Një punëtor tjetër i Telekomit, Hysni Zhitia, tha se ka dalë në protestë për ta mbrojtur shtetin dhe kompaninë e saj nga falimentimi, por edhe për mbrojtjen e familjeve të cilat mbahen me punën nga kjo kompani.

“Kërkesa jonë konkrete është që shteti ta marrë këtë barrë që i është ngarkuar Telekomit padrejtësisht dhe ta gjejë një kompromis në të mirë të shtetit dhe të Telekomit”, tha Zhitia.

Në Telekomin e Kosovës operon telefonia fikse dhe ajo mobile “Vala” me mbi 1.2 milion konsumatorë në vend. Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile nga viti 2010 kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar gjatë atij viti, e cila i mundësonte kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.

Mospajtimet mes tyre kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë ndërsa çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile duke obliguar Telekomin që t’i lëshonte numeracion shtesë kompanisë Z-Mobile dhe t’i paguajë gjobë prej mbi 25 milionë euro në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit./AA

OPINIONE

INTERVISTA