Prishtinë, protestojnë specialistët stomatologë

Rreth 20 specialistë stomatologë kanë dalë në protestë për të 10-ën herë me radhë para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë me kërkesë ndryshimin e udhëzimit administrativ që sipas tyre u pamundëson të punojnë si specialistë në shëndetin parësor.

Në mënyrë simbolike gjatë protestës së tyre, ata vendosën mantelet e bardhë në derën kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë.

Përfaqësuesja e specialistëve stomatologë, Mirjeta Berisha tha se ndihen të frustruar që ministria ende nuk ka marrë një vendim për ta. Ajo tha se “ministri Ismaili duhet të jetë korrekt në atë se çfarë ka premtuar, derisa udhëzimi administrativ ka qenë në fazën finale”.

“Sot është hera e dhjetë që dalim në protestë dhe jemi shumë të frustruar sepse të premten na u është premtuar se sot do të takohemi dhe do diskutojmë se çfarë do të bëhet me finalizimin e udhëzimit administrativ. Mirëpo, kjo mospërgjegjësi është me të vërtetë shumë për t’u lënduar dhe për t’u prekur. Pse kjo mospërgjegjësi ndaj kuadrit personel shëndetësor”, tha Berisha.

Berisha thotë se specialistëve stomatologë nuk u intereson koha para-zgjedhjeve të përgjithshme, ngase, sipas saj, ndryshimi i një udhëzimi administrativ nuk merr shumë kohë.

“Ne do të vazhdojmë me protesta. Unë do ta kisha lutur ministrin Ismaili të ketë një korrektësi ndaj nesh dhe të takohemi e të diskutojmë. Përndryshe, ne çdo ditë do të jemi këtu dhe nuk do të marrim përgjegjësi se çfarë do të ndodh tutje”, tha Berisha në fund.

Specialistët stomatologë kanë provuar të hyjnë brenda objektit të ministrisë për t’u takuar me përfaqësues të saj, por sigurimi i ministrisë i është përgjigjur se nuk është askush brenda dhe se duhet të presin jashtë objektit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne