Bota

Prizren, ekspozitë me fotografitë e objekteve kulturore e fetare

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor – Autostrada Biennale (AB) hapi ekspozitën me fotografi në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit dhe në të gjitha hapësirat në qytetin e Prizrenit, përfshirë hapësirat në qendër të qytetit, shtëpitë e vjetra, stacionin e autobusëve dhe hapësirave përreth, përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala.

Në Hamamin Gazi Mehmet Pasha të Prizrenit, që është njëra nga hapësirat e Autostrada Biennales u hap ekspozita me fotografitë e hapësirave dhe objekteve kulturore e fetare të qytetit të Prizrenit nga vitet e para të shekullit të 20 deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtat fotografi mund të shihen edhe versionet aktuale të objekteve të ruajtura të këtij qyteti. Po ashtu në hamam u zhvillua edhe diskutimi me temë “Kufijtë e qytetit” ku folës ishte Manray HSU (kurator i këtij edicioni të Autostrada Bienale), Eliza Hoxha, Yehuda Safran (SHBA) dhe Edi Muka (Shqipëri), në kuadër të konferencës ndërkombëtare të AB-së.

Gjatë diskutimit folësit theksuan nevojën dhe ndjesinë që kanë qytetarët e Kosovës për të qenë pjesë e një bote më të gjerë.

Lidhur me organizimin dhe ecurinë e Autostrada Biennale-s, udhëheqësi i ekipit dhe themeluesi i AB-së, Leutrim Fishekqiu, në një intervistë për AA-në theksoi se që nga data 21 gusht të gjitha hapësirat e AB-së janë të hapura për publikun deri më 23 shtator.

Fishekqiu duke vënë theksin tek ideja inovative e Bienales së Stambollit dhe Venecias theksoi se me Autostrada Biennale ata kanë vendosur që ta zhvillojnë një ide të tillë inovative në Kosovë. “Të gjitha veprat e artit janë të shpërndara në hapësirat e Prizrenit. Kjo është ajo magjia e AB-së ku një qytet pa galeri po e shndërron totalisht në një muze ku të gjitha hapësirat si shtëpitë e vjetra, muzetë pra edhe stacioni i autobusëve po shndërrohen në galeri”, u shpreh Fishekqiu.

Fishekqiu tha se kanë punuar me një ekip të gjerë për përgatitjen e bienales ku sipas tij, kuratori i edicionit të parë të AB-së, Manray Hsu, nga Tajvani është një njeri që ka sjellë një përvojë të re në rajon. Ai theksoi se Hsu ndodhet në Prizren qe një muaj ku ka punuar së bashku me ekipin për t’i shndërruar hapësirat dhe objektet e trashëgimisë kulturore në galeri të artit.

Duke folur edhe për aktivitetet e ndryshme të AB-së, Fishekqiu u shpreh se do të ketë aktivitete të ndryshme edukative. “Kemi organizuar një konferencë tre ditore e cila ka filluar më 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më datën 22 gusht e quajtur “E ardhmja e kufijve” (The Future of Borders) e cila është edhe tema e edicionit të parë të AB-së. Ndërkaq ditëve në vazhdim të gjitha hapësirat do të jenë të hapura ku do të shtohen edhe disa hapësira kreative kryesisht nëpër hapësira publike”, tha Fishekqiu.

Ndryshe, gjatë bienales do të realizohen intervenime artistike në shtëpitë e vjetra të qytetit. Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor./ AA

OPINIONE

INTERVISTA