Prizren, shënohet Dita e Mësimdhënësve Turq

Në përkujdesjen e Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, koordinimin e Konsullatës së Turqisë në Prizren, Institutit Yunus Emre dhe në bashkëpunim të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe të Shoqatës së Mësimdhënësve Turq në Kosovë, në Prizren u oranizua “Festimi i 24 Nëntorit – Ditës së Mësimdhënësve dhe Seminari i Edukimit në Kosovë”.

Në programin e organizuar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, i cili u mbajt me rastin e 24 nëntorit e cila në Turqi festohet si Dita e Mësimdhënësve, morën pjesë konsullja e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, nënkryetarja e Parlamentit të Kosovës dhe deputetja nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) Müferra Şinik, deputeti nga KDTP Fikrim Damka, drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker, ish-deputeti i Partisë AK nga Izmiri, Rifat Sait, kryetari i bordit të Shoqatës së Mësimdhënësve Turq në Kosovë, Akif Gaş, përfaqësuesit e komunës së Prizrenit, të KFOR-it Turk në Kosovë si dhe një numër i madh i mësimdhënësve.

Në një fjalë rasti konsullja Altunya uroi të gjithë mësimdhënësit për 24 Nëntorin. Me këtë rast ajo përmendi dy ngjarje, atë të pranimit të shkronjave të reja dhe marrjes së titullit si krye-mësimdhënës të Kemal Ataturkut, të cilat i vlerësoi si ngjarje të rëndësishme në civilizimin historik të Republikës së Turqisë.

Nënkryetarja e Parlamentit të Kosovës, Şinik gjatë fjalimit të saj falënderoi Republikën e Turqisë për mbështetjen që i jep Kosovës, komunitetin turk dhe mësimdhënësit turq në Kosovë, me institucionet e saj si ambasada në Prishtinë, konsullata në Prizren, TIKA, Yunus Emre, Shkollat Maarif e Diyaneti.

Drejtori i YEE-së në Prishtinë, Ülker u shpreh se ndjen gëzim dhe nder për të shënuar këtë ditë të rëndësishme në Kosovë së bashku me mësimdhënësit e komunitetit turk. “Ju jeni ndër bashkëkombëtarët tanë më të rëndësishëm të cilët mundësoni mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kulturës turke, në mënyrë që t’i japë drejtim shkencës, dijes dhe civilizimit në këto toka”, tha ai.

Ndërkaq edhe kryetari i Bordit të Shoqatës së Mësimdhënësve Turq në Kosovë, Gaş, foli në lidhje me punët e kësaj shoqate, ku theksoi se madhërimi i arsimit turk në Kosovë është një nga prioritetet e tyre. Ai më tej falënderoi institucionet dhe organizatat nga Turqia për mbështetjen e ofruar për këtë shoqatë.

Folësit po ashtu uruan shërim sa më të shpejtë për ambasadoren e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe qytetarët e tjerë të Kosovës, të cilët u lënduan në një aksident të javës së kaluar si dhe shprehën ngushëllimet e tyre për ata që humbën jetën në këtë aksident.

Më pas programi vazhdoi me prezantimet e mësimdhënësit Bedrettin Koro me temën “Pamje vizionare për të kaluarën, të sotmen dhe të nesërmen e arsimit në Kosovë” dhe të akademikut të asociuar İbrahim Hakan Karataş me temën “Të qënit mësimdhënës i kulturës në botën globale”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne