Probleme me buxhetin, qeveria urdhëron pezullimin e tenderave të mëdhenj

Nga Gerard Gega

Qeveria ka urdhëruar disa prej institucioneve që të pezullojnë tenderat e mëdhenj pasi buxheti nuk ka para. Top-Channel raportoi se janë pezulluar disa tendera me vlerë të madhe, veçanërisht ato të prokuruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), agjencia e blerjeve të përqendruara dhe kompanitë publike të sektorit energjetik.

Nga FSHZH janë pezulluar 2 tendera me vlerë rreth 2,3 milionë euro që shërbenin për infrastrukturë turistike: Tenderi në Kavajë (1 milionë euro) për ndërtimin dhe rikonstruktimin e rreth 1 kilometër rrugë dhe kanal kullues në rrugët e Qerretit. Tenderi në Berat (1,3 milionë euro) për ndërtimin, rikonstruktimin dhe pajisjen me sinjalistikë të rreth 1,7 kilometër rrugë për gjatë lumit Osum.

Të dy tenderat qenë hapur përpara datës 14 tetor, por janë pezulluar. Top-Channel raporton se agjencia e blerjeve të përqendruara ka pezulluar thuajse të gjitha tenderat e zhvilluara gjatë muajit tetor, kurse operatori i sistemit të transmetimit pezulloi blerjen e transformatorit të ri për nënstacionin Tirana 2 me fond limit rreth 2.5 milionë euro.

Qeveria po përballet me një situatë të vështirë të buxhetit të shtetit, ndërsa muajt e fundit ka patur probleme të theksuara me tenderat.

Kontestimet e kompanisë Gjoka Konstruksion për tenderin e tunelit Kardhiq-Delvinë nxorrën në pah përpjekjet që po bëheshin nga kompani të tjera për ta siguruar atë si dhe përkrahjet nga zyrtarët për të ndikuar në zgjedhjen e fituesit.

Për të shmangur të gjitha debatet dhe skandalet që do ta rëndonin pozitën e qeverisë, Ministria e Infrastrukturës e anuloi tenderin me justifikimin se kishte plane më emergjente, ndërsa Drejtoresha e Autoritetit Rrugor u dorëhoq./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne