Problemi qipriot – Çavusoglu: Duhet të biem dakord mbi çfarë negociojmë, pa parakushte

“Më parë vendosni ju se cilën zgjidhje doni, pastaj ne vijmë në tavolinën e bisedimeve dhe paraqesim propozimet tona”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në një thirrje drejtuar qeverisjes grekoqipriote.

Në një intervistë nga Turqia me gazetarin e së përditshmes grekoqipriote “Politis”, Mevlut Çavusoglu theksoi se Ankaraja nuk refuzon asnjë formulë dhe po ashtu nuk këmbëngul në asnjë formulë për zgjidhjen e problemit ishullor.

“Duhet të biem dakord mbi çfarë negociojmë. Një federatë, një konfederatë, një zgjidhje me dy shtete, një opsion i katër apo i pestë? Fillimisht të bisedojmë mes nesh dhe të gjejmë konsensusin joformal mbi kornizën e negociatave”, u shpreh ai.

Shefi i diplomacisë turke u ndal më tej mbi parakushtin e palës grekoqipriote për “zero ushtarë dhe zero garanci”.

“Nuk është e drejtë që çështjen e sigurisë ta diskutojmë paraprakisht. Ka çështje të tjera; problemi i vetëm s’është ushtari”, saktësoi Çavusoglu.

Pasi vuri në pah se është koha për një zgjidhje të pranueshme bashkërisht në Qipro dhe jo vetëm në palën turke, ministri i Jashtëm rikujtoi se përpjekjet për federatë kanë dështuar në të gjitha negociatat dhe shtoi se tashmë duhet të merren në shqyrtim opsione të tjera.

Duke folur gjithashtu për “federatën e lirë” ku shtetet themeluese do të jenë të pushtetshme, një tezë e ngritur në rend të ditës nga lideri grekoqipriot Nicos Anastasiades dhe shumë e ngjashme me zgjidhjen me dy shtete, Çavusoglu potencoi se nuk e refuzojnë opsion në fjalë dhe se atë e konsiderojnë gjithashtu një alternativë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne