Procesi – Legalizohen 6 pallate të braktisura nga investitorët, përfitojnë 450 familje

ALUIZNI ka përfunduar procesin e legalizimeve për 6 pallate të braktisura nga investitorët, duke u dhënë mundësinë e hipotekës 450 familje.

Bëhet fjalë për objekte pranë stadiumit ‘Dinamo’, Qytetit Studenti dhe Unazës së Re.

Drejtori i Agjencisë, Artan Lame dhe një herë ftoi familjet që nuk e kanë aktin e pronësisë të aplikojnë për të nisur procedurat.

Lame: Vetëm duke u bërë bashkë dhe vetëm duke ndjekur plotësimin e dokumentacionit mund të zgjidhen këto halle. Nuk zgjidhej ky pallat duke ndjenjur secili tek shtëpia e vet, duke mos u marrë vesh, duke sjellë njëherë njëri një letër, njëherë tjetri një dokument. Por vetëm se arritët të zgjidhnit një apo dy përfaqësues që u morën me Drejtorinë tonë përndryshe pale dhe sa kohë do të vazhdonte të ishte në këtë formë.

Një ndër rastet tashmë të trajtuara nga ALUIZNI është dhe pallati i ndërtuar në vitin 1996, ku investitori është larguar në drejtim të SHBA-së.

Lame: Pallati i Melrosit është nga pallatet e para të bëra në Tiranë, është që në ’96 leja e ndërtimit. Merreni me mend, 21 vjet më përpara dhe nesër ju do të merrni nga Drejtoria përkatëse shpërndarjen e lejeve të legalizimit.

Sa i përket procesit të regjistrimit në ZRPP, Lame shprehet se dhe në këtë rast është ALUIZNI që ndjek procedurën.

Lame: Aplikimin në ZVRPP do ta bëjë po ALUIZNI, ju vetëm do të lajmëroheni për të vijuar më tej me tërheqjen e aktit të pronësisë.

E rëndësishme për të nisur procesin e legalizimit të pallateve është aplikimi i të gjitha familjeve, çka i jep përparësi dhe ALUIZNI-t.

Për këtë proces nevojitet kopje e noterizuar e kontratës së sipërmarrjes, certifikata familjare dhe kopje e kartave të identitetit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne