Profil/ Xhezair Zaganjori, misteri i djegies së kryegjyqtarit

Ndodh edhe kështu. Shtatë vite më parë, Xhezair Zaganjorin mund ta kishim pasur president të Shqipërisë, por këtej e tutje ai nuk do mund të jetë më as gjyqtar, as avokat dhe as noter. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi këtë të premte të shkarkojë nga detya gjyqtarin që mbante postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, duke e lënë këtë institucion vetëm me një anëtar.

Sipas shkallës së dytë të vettingut, shkarkimi i Zaganjorit erdhi pas problemeve me një apartament që ai ka ndërtuar shumë kohë para se të bëhej gjyqtar. Gjatë seancave të procesit, ku u kaluan në sitë pronat e tij: një apartament 296 m2 në bashkëpronësi me bashkëshorten, një bodrum 264 m2, një bibliotekë dhe dyqan 281 m2 dhe zyrë 57 m2, u pa se ai kishte trashëguar një tokë nga familja e së shoqes, diku pas restorant Piacës, mbi të cilën të afërmit e tij kishin ndërtuar një godinë banimi. Pretendimi është se Xhezair Zaganjori, kur e kishte regjistruar këtë tokë në hipotekë e kishte shënuar me shumë të vogël, dhe këtu, vetuesit dyshojnë se mund të kemi pasur tentativë për fshehje taksash.

Kjo, bashkë me pretendimin se “Referuar deklaratës fillestare të 2013 dhe të vitit 2017, Xhezair Zaganjori është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të këtyre pasurive të paluajtshme”, u bënë shkas që ai të largohej nga sistemi.

Në fakt gazetarët dhe vëzhguesit, që e kanë ndjekur vettingun e tij, flasin për pretendime jo bindëse të “akuzës” ose në rastin më të mirë, për ngritje shumë lart të një steke që ka qenë shumë më e ulët në rastin e Donika Prelës për shembull.

Dhe këtu gjykimi ngrihet: A u penalizua kreu i Gjykatës së Lartë për pasuritë, apo për lidhjet e tij politike?

Po të besojmë në versionin e dytë, nuk është i panjohur afeksioni i juristit të njohur për Sali Berishën, njeriun në kohën e të cilit kapi postin më të lartë të karrierës, njeriu që e çoi në fillim të viteve ’90 ambasador në Gjermani dhe që e propozoi në 2012 kandiat konsensual për president.

Ndonëse gjithnjë ka anuar nga Berisha, ish diplomati është një nga ata personazhe që është munduar ta mbajë mirë me të gjithë, madje që në kohë të komunizmit. Në një portret që i ka bërë në revistën Java, Lorenc Vangjeli, gjatë kohës kur u shpall kandidat për kryetar shteti, ai e përshkruan kështu:

“Zaganjori ka njohur kur ishte student jetesën e shtrënguar, tipike për varfërinë e kohës. Tip sportiv, luante futboll, volejboll dhe merrej me atletikë. Shpejt bie në sy të dy pedagogëve të njohur, Arben Puto dhe Luan Omari. Bashkë me studentin tjetër të drejtësisë Maks Haxhia- një mik i hershëm me të cilin nuk ka më miqësinë e vjetër- ai viziton shpesh selinë e e Akademisë së Shkencave, ku takon dy profesorët dhe studion në bibliotekën e institucionit. Mëson gjermanisht dhe më pas edhe anglisht e frëngjisht. Bëhet asistent i Putos. Edhe sot, e konsideron profesor Puton një mik të mirë që i detyrohet shumëçka. Edhe pse jeta e tij, falë mirësisë së Putos, mori një rrjedhë më të mirë. Profesori i vjetër e njoftoi diku nga fundi i vitit 1987, në dimër, që ishte diskutuar për t’u pranuar si kandidat i Partisë së Punës. 25 vjet më pas Zaganjori e pohon këtë fakt. Ka pak, fare pak dëshmitarë që mund ta kujtojnë apo ta dinë një gjë të tillë, por gjykatësi nuk e ka problem: “Isha i fundit që u pranova dhe i pari që u largova nga partia”.

Me ardhjen e pluralizmit, Zaganjori afrohet me grupin socialdemokrat të Gjinushit, por pa u bërë anëtar partie. Mbas zgjedhjeve të marsit 1992, me propozim të Skënder Gjinushit dhe dekret të ish- presidentit Berisha, emërohet ambasador i Shqipërisë në Gjermani. Por kur para referendumit të kushtetutës 1994 social demokratët ndahen me Berishën, diplomati merr krahun e presidentit.

Rikthimi në rolet e dorës së parë, pas kthimit nga eksperienca si diplomat, i koincidon sërish me forcimin e pozitave të Berishës në politikë, pikërisht në periudhën e muajit të mjaltit që lideri demokrat pati me kryeministrin Nano, me të cilin zgjodhi jo vetëm një president dhe kryeprokuror konsensual, por edhe gjykatës të lartë e kushtetues.

Me propozim të presidentit Moisiu, socialistët në pushtet dhe demokratët në opozitë do ta votonin sëbashku kandidaturën e Zaganjorit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Por, një dekadë më vonë, kur në krye të së majtës Rama i kish zënë vendin Nanos, konsensusi nuk do të përsëritej. Sali Berisha, prapë i njëjti, do ta propozonte Xhezair Zaganjorin për kryetar konsensual shteti dhe socialistët do ta refuzonin.

Argumentat e tyre ishin të thjeshta. Nga 12 kërkesa që kishte çuar grupi i opozitës në Kushtetuese, Zaganjori kishte votuar 11 herë kundër tyre. Madje ai kishte qenë kundër PS edhe ne tentativën e saj për moslejimin e prishjes së Piramidës dhe akuzohej se duke pasur postin e gjykatësit, kishte bërë rolin e konsulentit të qeverisë në marrëveshjen famëkeqe të detit me Greqinë.

Gjithësesi, Xhezair Zaganjori do të tërhiqej nga gara për president pasi nuk mori konsensus. Disa thanë se Berisha thjeshtë e përdori sepse ai ishte i vendosur të arrinte tek Buajr Nishani. Disa të tjerë ia lanë këtë vendim ndërgjegjes së vetë gjykatësit, që nuk preferonte të bëhej publikisht i anshëm.

/Kronika e VOA per terheqjen e Zaganjorit nga kandidat per president

Por për këtë rol, Zaganjori u shpërblye. Pasi ndejti dy vjet pas mbarimit të mandatit si gjyqtar kushtetues, ai u votua nga PD-ja për në gjykatën e lartë, për të marrë kryesimin e saj, post të cilin e mbajti deri këtë 26 korrik, kur pas një vendimi tejet të dyshimtë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ia ndërpreu në mes rrugëtimin.

Sipas ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi, një formalitet në letra, do ta penalizojë Zaganjorin jo vetëm në ushtrimin e profesionit si gjykatës, por do ta përjashtojë krejtësisht nga sistemi edhe si avokat apo noter. Duke e futur kështu në aradhën e panumurt të të papunëve, njeriun që mund ta kishim pasur për pesë vite kryetar shteti; Njeriun që një formalitet i vogël në letra, para periudhës së funksionit si gjyqtar, e penalizoi si të pakalueshëm nga vetting, duke mbajtur gjithnjë të hapur pikpyetjen: a u dogj Xhezair Zaganjori për pasurinë, apo për preferencat e tij të heshtura politike?/lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne