Një tjetër zë në mbrojtje të politikave izraelite është ngritur sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti Tritan Shehu, i njohur për qëndrimet e tij proizraelite, ka përdorur seancën parlamentare për të lavdëruar “marrëveshjen e re të paqes në Lindjen e Mesme”, të cilën e quajti “plan paqeje të Trump”.
Shehu deklaroi se “kjo është një ditë historike për gjithë botën” dhe se “parlamenti shqiptar duhet të shprehet në mbështetje të paqebërësit Trump dhe planit të tij të ri”.
Në fakt, kjo “paqebërje” që përmend Shehu, është e njëjtë me projektin famëkeq që legjitimon grabitjen e tokave palestineze dhe forcon kontrollin e Izraelit mbi territoret e pushtuara.
Ndërsa bota e civilizuar e quan gjenocid atë që po ndodh në Gaza, ku po masakrohen mijëra gra e fëmijë, Shehu zgjedh të ngrejë zërin në mbrojtje të shtetit që po shkatërron një popull të tërë.
Kjo nuk është as diplomaci, as interes kombëtar – është thjesht servilizëm politik ndaj një regjimi që po kryen krime lufte para syve të botës.
Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Tritan Shehu nuk foli për vuajtjet e palestinezëve, por për “paqen” e rreme që mbulon me gjak çdo qytet të Gazës.
Një qëndrim që nuk përfaqëson as dinjitetin e popullit shqiptar, as vlerat njerëzore të atyre që kanë njohur vetë pushtimin dhe dhunën./gazetaimpakt















