Projeksioni i ministrit të Shëndetësisë: Kini durim, në fund të muajit do të ulen rastet me COVID-19 në Kosovë

Teksa shifrat e të prekurve nga koronavirusi, rriten dita ditës në Kosovë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë një projeksion të situatës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim edhe për disa jave dhe se në fund të prillit, sipas tij, do të ketë rënie të rasteve me Covid- 19.

Nga aeroporti i Prishtinës, ku priti ndihmat e ardhura nga Turqia, Vitia tha se qytetarët duhet të qëndrojnë nëpër shtëpi dy ose tri javët e ardhshme. “Ju bëjë thirrje, që përkundër që kemi një mot të mirë, të qëndrojmë në shtëpi. Të kemi durimin edhe për dy-tri javët e ardhshme, dhe t’i ndjekim rekomandimet dhe në fund të muajit, sipas të gjitha parashikimeve, do të ketë rënie të pikut edhe bazuar në situatën që gjendet në shtetet tjera”, tha ministri i Shëndetësisë.

Ai ka përmendur rastin e fshatit Stubëll të Vitisë, ku ishte regjistruar rast i parë me koronavirus në Kosovë. Vitia thotë se banorët e atij fshati kanë treguar shembull të mirë duke iu përmbajtur rregullave të izolimit, që rezultoi me sukses./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne