Projekti, edhe Beogradi me kulla, por atje banorët nisin protestat

Është pjesë e një zhvillimi, me një investim prej 3 miliardë eurosh, ose rreth 3.6 miliardë dollarë, që po merr formë në kryeqytetin e Serbisë përgjatë bregut lindor të lumit Sava, shkruan NY Times. Një projekt ekstravagant dhe shumë i kundërshtuar, i njohur si Ujëvara e Beogradit, një prej planeve kryesore të elitës qeveritare të Serbisë për të shndërruar këtë metropol të vjetruar në Dubain e rajonit të Ballkanit.

Një çifti të martuarish, Ivan dhe Vida Timotijeviç, të cilët jetojnë në mes të zonës që është projektuar si pjesë e projektit, i është ndërprerë energjia elektrike dhe uji, sepse nuk pranojnë të lëvizin nga shtëpia. Nëse qeveria do të vendosë të realizojë këtë projekt, një bulevard i ri do të ndërtohet pikërisht në vendin ku ndodhet shtëpia e tyre. Ata janë ndër të parët që e kanë parë dhe kanë filluar ta studiojnë këtë projekt, i cili thuhet se do të jetë gjigant.

Ky projekt gjigant dhe luksoz me shumë qiellgërvishtës dhe qendra tregtare është kthyer në prioritetin e qeverisë së Vuçiç për t’i dhënë Serbisë një identitet të ri, duke e lënë pas të kaluarën e hidhur dhe izolimin ndërkombëtar të këtij vendi.
Vuçiç, një ultranacionalist gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990, u shndërrua në një reformator pro-europian teksa fuqizohej gjithnjë e më shumë politikisht, duke u përpjekur që të arrijë realizimin e synimit të tij me paratë e marrë hua dhe nga të ardhurat e gjeneraura nga shitja e tokës shtetërore te Rusia dhe Kina. Të shumtë janë kritikët e qeverisë, të cilët thonë se ajo nuk po bën asgjë për ta parandaluar këtë situatë.

Rrënojat e një ish-ndërtese që i takonte Ministrisë së Brendshme, e goditur nga avionët e NATO-s në 1999, janë zhdukur për t’ia lënë vendin ndërtimit të tre kullave, të cilat do të ndërtohen nga një kompani me pronësi izraelite, AFI Europe Group. Të gjithë banorët që ndodheshin deri në 1.5 km larg zonës së ndërtimit të Ujëvarës janë larguar nga aty, duke i detyruar që të braktisin shtëpitë.
“Ata janë të vendosur që të na çojnë ne drejt një të ardhme të projektuar sipas mënyrës së tyre”, u shpreh Dobrica Veselinoviç, udhëheqëse e lëvizjes opozitare, e njohur si “Të mos e shkatërrojmë Beogradin”, duke zhvilluar edhe protesta të shumta kundër këtij projekti në rrugët e kryeqytetit serb.

Sipas këndvështrimit të disa qeveritarëve, protestuesit po nxitohen me mënyrën e të vepruarit, sepse ata ende nuk janë në dijeni të disa prej qëllimeve kryesore të projektit, i njohur me emrin “Ujëvara e Beogradit”, u shpreh për mediat Sinisa Mali, kryebashkiaku i Serbisë. “Ata nuk e dinë se ne po përpiqemi që t’i japim Beogradit lavdinë e e mëparshme dhe ta shndërrojmë atë në një qytet të madh e të respektueshëm, duke lënë pas vitet e turpit të shkaktuara nga luftërat dhe trazirat e shumta”, thotë ai më tej. Një prej shqetësimeve më të mëdha të projektit nuk është vetëm largimi i banorëve nga shtëpitë e tyre, por edhe mënyra sesi ata po largohen, me dhunë dhe aspak në një mënyrë të qytetëruar.

Rreth dy vjet më parë, përpara se të fillonte ndërtimi, 231 familje u larguan nga shtëpitë e tyre, sepse në to do të ndërtohej projekti, por disa nga këto familje refuzuan të largoheshin. Menjëherë pas rezistencës që ato bënë, 30 burra të maskuar u shfaqën në shtëpitë e tyre duke mbajtur shkopinj bejsbolli në duar, duke i kërcënuar se nëse nuk largoheshin brenda asaj nate, të gjithë do të dhunoheshin. Të nesërmen, të gjitha shtëpitë ishin të braktisura dhe të shkatërruara, për t’i hapur rrugë sa më parë zhvillimit të projektit. Bastisja e vitit 2016, shkaktoi një tronditje shumë të madhe te serbët, të cilët mbushën rrugët e qytetit duke protestuar kundër kësaj qeverie të korruptuar, për të nxjerrë në njëfarë mënyre edhe zemërimin. Protestat u shndërruan në një prej demonstratave më të mëdha antiqeveritare që nga kryengritje popullore që rrëzoi kreun serb, Slobodan Millosheviçin në vitin 2000.

Kundërshtarët e projektit kanë akuzuar kryebashkiakun Mali se fshihej pas bastisjes së dhunshme, akuzë të cilën ai e ka mohuar me forcë në një intervistë të dhënë për një media lokale. Të shumtë kanë qenë qytetarët serbë, të cilët e kanë akuzuar si Kryebashkiakun ashtu edhe Presidentin e vendit që nuk i kanë diskutuar më parë planet e tyre me qytetarët, aq më shumë kur bëhej fjalë për shkatërrimin e shtëpive dhe për ndryshimin e qytetit.

Mbështetja financiare për zhvillimin e këtij projekti ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe ndikimin e huaj tepër të lartë. Projekti i Ujëvarës në Beograd po financohet nga një firmë investimi me bazë Abu Dhabi, Eagle Hills Properties, e cila nënshkroi një kontratë me qeverinë serbe në 2015.

Mohammed bin Zayed, udhëheqësi de facto i Emirateve të Bashkuara Arabe, e ka identifikuar Serbinë si destinacionin kryesor në Ballkanin Perëndimor për përpjekjet që shteti i tij po bën për të diversifikuar ekonominë serbe, përpara se nafta të mbarojë.
Gjithçka filloi në vitin 2013, kur z. Mali nënshkroi një marrëveshje me Etihad, transportuesin kombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i shitur atij rreth 49% të aksioneve të kompanisë shtetërore ajrore Jat Airways të Serbisë, e cila ishte në prag falimentimi. Etihadi e rikonstruktoi këto kompani nga fillimi, duke i vënë edhe një emër tjetër dhe duke e quajtur, Air Serbia, dhe duke e shndërruar kështu aeroportin e Serbisë në një qendër rajonale.

Emiratet nënshkruan një marrëveshje me qeverinë e Serbisë për të investuar në zhvillimin e tokës bujqësore dhe për të blerë kompani bujqësore në pronësi të shtetit. Ato po investojnë para edhe në industrinë e mbrojtjes të Serbisë, duke përfshirë edhe industrinë prodhuese të aeronautikës. Të shumtë kanë qenë qytetarët serbë të cilët kanë dyshuar mbi transparencën e zhvillimit të marrëveshjeve midis Serbisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kulturat politike të këtyre dy vendeve janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, sulltanizmi i Emirateve të Bashkuara Arabe është i ngjashëm me autoritarizmin e rajonit të Ballkanit, thotë Tena Prelec, studiuese e çështjeve të Europës Juglindore në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe redaktore e një gazete për investimet e Emirateve në Serbi.

Edhe pse projekti i Ujëvarës së Beogradit ka qenë një prej projekteve më të kontestuara të të gjitha kohërave, dy ndërtesa rezidenciale gjigante në formën e valës së detit pothuajse janë në përfundim e sipër. Pronarët e parë që do të marrin një shtëpi në këtë zonë do të paguajnë 7,000 euro/m² ose 8,500 dollarë amerikanë/m², në një shtet ku paga mesatare mujore është 375 euro ose 455 dollarë amerikanë.
Gjithsej do të ndërtohen rreth 5,700 shtëpi banimi dhe tetë hotele në zonën e zhvillimit midis lumit dhe stacionit qendror të trenit të shekullit të 19-të. Këtu do të ndërtohen edhe disa prej qendrave tregtare më të mëdha të rajonit të Ballkanit.

“Ne po përpiqemi të ndërtojmë gjithçka nga e para, por kurrsesi pa prishur dhe pa dëmtuar objektet e vjetra të këtij qyteti që konsiderohen si trashëgimia e tij”, tha Kryebashkiaku. Çka është e rëndësishme për ne tani është që të kemi trena të shpejtë, autostrada me shumë korsi dhe ndërtesa jo vetëm të bukura por, mbi të gjitha, cilësore për të jetuar. Dhe janë pikërisht këta disa faktorë me të cilët ne e masim suksesin tonë gjatë këtyre ditëve dhe jo sesa toka ua kemi marrë fqinjëve gjatë luftërave të së kaluarës.

Por Bojan Kovaçeviç, Presidenti i Akademisë së Arkitektëve të Serbisë, e quajti zhvillimin e projektit të Ujëvarës së Beogradit një “krim kundër planifikimit urban”. Sipas tij, ndërtesat gjigante sipas stilit të Dubait nuk kanë lidhje me një qytet si Beogradi.
“Ai po ndërton një qytet të ndaluar në zemër të Beogradit”, tha z. Kovaçeviç duke iu referuar presidentit. Z. Vuçiç del deklaratë pas deklarate, duke thënë se ai po përpiqet që t’i japë këtij qyteti një imazh të ri, por është pikërisht ai vetë që po vendos për gjithçka, pa na pyetur ne për asgjë, edhe pse tek e fundit bëhet fjalë për qytetin tonë. Ka ende nga ata banorë që vazhdojnë të bëjnë rezistencë. Bjelobaba, një qytetar serb dhe pronar i një servisi makinash, tha se shpërthimi ndodhi teksa ai dhe shumë të tjerë ishin duke punuar, prej të cilit mund të kishin humbur jetën.

“Nuk ishte rastësi. Nuk ishte një aksident”, tha ai, duke shtuar se veprimi ishte një shenjë paralajmëruese e presionit të ushtruar nga autoritetet vendase, për ta detyruar atë që të largohet nga servisi i tij. Çifti i Timotijevicsve të cilët jetojnë vetëm me anë të pensioneve të tyre, gjithashtu refuzojnë që të largohen nga shtëpia e tyre pa marrë më parë kompensimin që i takon nga shteti.
“Po pres buldozerët të vijnë, nuk do të largohem lehtë nga shtëpia, duke i lejuar ata që të përfitojnë nga prona ime. Si qytetar i këtij vendi, kam të drejtat e mia dhe nuk do të heq dorë aq lehtë prej tyre”, tha z. Timotijeviç.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne