Projektligji për pakicat përplas PS dhe LSI në Kuvend

LSI shpreh votën e saj kundër projektligjit për pakicat. “Të mos e votojmë sot këtë projektligj, jo të mos kemi një projektligj të tillë, por ai duhet rregulluar dhe bërë ashtu si duhet, jo në gjendjen që është”. Kështu e ka mbyllur fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, duke paralajmëruar kësisoj votën kundër këtij projektligji.

Gjatë fjalës në foltore, Vasili e quajti projektligjin si një provokim te rëndë. “Ne emer të diskriminimit pozitiv, ligji afron koncepte që nuk pajtohen me konventën kuadër. Deformimet janë aq të mëdha sa të shtyjnë që të dyshosh se nuk jemi para një dokumenti juridik, por një dokumenti politik që të bën të mendosh se jemi para ish-Jugosllavisë së djeshme”- tha ai.

Vasili iu referuar pikës së ligjit për përcaktimin e pakicave. “Në pikën dy, thuhet se cilat janë pakicat. Janë zhdukur kufitë ndërmjet pakicave kombëtare, etniteteve me statuse historike të mjegullta, ndërmjet minoriteteve dhe pakicave kulturore”- tha Vasili.

Pas tij ka replikuar ministri i Jashtem, Ditmir Bushati duke mbrojtur projektligjin dhe duke numëruar gjithë konsultimet dhe debatet që janë bërë. Bushati theksoi se “kështu është kur kalon nga njëra anë e tavolinës në një tjetër”- tha ai, duke i kujtuar parafolësit se disa nga ish ministrat e LSI e kanë firmosur këtë projektligj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne