Prokuroria pushon akuzat për pastrim parash ndaj Emiliano Shullazit

Prokuroria e Tiranës ka pushuar sot hetimet rreth çështjes së pronësisë së ish-Hotel Vollgës në Durrës, çështje në të cilën qenë përfshirë Emiljano Shullazi dhe biznesmeni Ylvi Beqja.

Gjykata e shkallës së parë të Tiranës, vendosi sot të pranojë kërkesën e Prokurorisë për të pushuar çështjen “për shkak se nuk janë gjetur prova për të vërtetuar akuzat”.

Prokuroria e akuzonte Shullazin për pastrim parash dhe përvetësim prone me anë të kanosjes, ndërsa hetimet patën nisur që në vitin 2018.

Ish-Hotel Vollga në qendër të Durrësit ka patur një çështje të gjatë gjyqësore për sa i përket pronësisë. Palë të ndryshme e kanë pretenduar atë, mes të cilëve Ylvi Beqja si administrues i një kompanie arabe dhe Zamir Hasa, trashëgimtar i ish-pronarëve.

Beqja thuhet se ka patur probleme me regjistrimin në hipotekë të pronësisë së ish-Hotel Vollgës dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e Shullazit dhe të njohurve të tij.

Në këmbim të ndërhyrjes dhe regjistrimit, Shullazi thuhet se do të merrte 20 për qind të pronësisë, por që sipas prokurorisë ai e kishte kërcënuar Beqjan duke i kërkuar pastaj 30 për qind dhe jo 20.

Për këtë çështje, nën hetim kanë qënë edhe tre gjyqatrë, Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre pasi dyshoheshin se tjetërsuan truallin në favor të Shullazit, kjo gjatë kohës që çështja e pronësisë midis Beqajt dhe Hasës po gjykohej në Gjykatë të Lartë.

Por pavarësisht pushimit të këtyre hetimeve, Emiliano Shullazi ka edhe çështje të tjera në gjykatë.

Ai është akuzuar për kanosjen e profesorëve Dhori Kule e Mënyr Koni, gjobëvënie, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijim grupi kriminal, në të cilin thuhet se janë përfshirë edhe Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Vitin që shkoi ky grup u dënua në shkallën e parë me 55 vite burg. Shullazi u dënua me 14 vite. Çështja është apeluar./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne