Shqiperia

Prokuroria zgjatet me 3 muaj hetimet për Klement Balilin, ‘Eskobari i Ballkanit’ akoma në kërkim

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur edhe me tre muaj hetimet ndaj Klement Balilit, i konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”. Ndërkohë që Balili gjendet ende në kërkim, Krimet e Rënda vijojnë hetimet ndaj tij dhe po presin përgjigjen e letërporosisë që kanë dërguar në Greqi.

Sipas Panoramës organi i akuzës është në pritje të mbërritjes së akteve të dosjes greke për Balilin. Kujtojmë se në dhjetor 2016, kanë qenë mediat greke ato që kanë shkruar fillimisht për Balilin, i cili mbante post drejtues në drejtori transportesh në Sarandë.

Nga ana tjetër, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur më 9 dhjetor të vitit 2016 masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Klement Balilin. Mbi të rëndojnë disa akuza si “trafikim narkotikësh në bashkëpunim”, krijimi dhe pjesëmarrja në grup kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.

Sipas Prokurorisë, kanë qenë shërbimet greke dhe DEA amerikane që hetuan organizatën kriminale ku bënte pjesë Balili dhe që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Në përbërje të kësaj organizate ka pasur shtetas grekë, shqiptarë dhe bullgarë. Gjithashtu, dyshohet se organizata kriminale trafikonte me kamionë kanabis, heroinë dhe kokainë. Këta kamionë ishin në pronësi të disa kompanive me shtetas grekë.

Droga vinte kryesisht nga Turqia dhe kishte si synim tregjet e zeza të BE-së. Po kështu, gjatë këtij viti Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për sekuestro preventive të pasurisë së Klement Balilit. Krimet e Rënda kanë sekuestruar hotelin gjigant “Santa Quaranta” në Sarandë, i cili rezulton të jetë nën pronësi të vëllait të Klement Balilit./ lapsi