Pronarët italianë të tragetit tregojnë si përfundoi ngarkesa në Vlorë: Ja pse nuk u pranuan në Kroaci

Pronarët e kompanisë dhe tragetit ‘ST Damian’, i cili u bllokua 2 ditë më parë në Portin e Vlorës, kanë reaguar këtë të shtunë, duke mohuar që mbetjet të jenë të rrezikshme.

Vëllezërit John dhe Massimo Prudentino thonë se mbetjet kishin mbetur në traget, pasi në Kroaci mjetit i është bërë remont. John Prudentino tregon se fillimisht u tentua që mbetjet të liheshin në Kroaci, por nuk u pranuan nga ky vend për shkak të mungesës së hapësirës në kantierin kroat.

“Në 19 shkurt i kërkuam firmës së pastrimit të autorizuar ne Portin e Vlorës të tërheqë mbetjet në bordin e anijes. Theksoj se mbetjet janë normale dhe jo të rrezikshme. Anija ka qenë në remont dhe mbetjet janë nga riparimet e poltronave dhe izolimit.

Materiali i izolimit që është gjetur është i lejuar dhe certifikuar për të bërë izolimet në anije dhe madje edhe në ndërtimin e banesave është gjithashtu i lejuar. Në brendësi të anijes janë gjetur edhe depozitime të vajit të motorit të anijes, i cili ka qenë i papërdorur dhe për ë cilin ne disponojmë edhe faturat e blerjes së tij.

I kërkuam kantierit në Kroaci që të mund ti depozitonim atje mbetjet por për ta qe e pamundur për çështje logjistike. Për izolimin ne anije kemi përdorur materialin e njohur si lesh xhami ose ROOKYL”, shprehet Prudentino.

Pronarët italianë kanë paraqitur edhe një dokument, që sipas tyre, është kontrata me kompaninë shqiptare ‘Delfini 1’ për mbetjet. Sipas tyre, kjo praktikë vijon prej disa vitesh.

“Kompania Delfin1 është një kompani që punon me shumë anije të tjera. Dhe është e licencuar dhe certifikuar nga autoritetet shqiptare.

Në përfundim të procesit na dorëzon një procesverbal ku na saktëson sasinë dhe llojin e mbetjeve. Për këtë ne mbajmë shënim në regjistrin e brendshëm të bordit ku ka akses çdo kapiteneri në botë.

Nuk ka asgjë të ndaluar, asgjë të jashtëligjshme nuk ka absolutisht. Një anije që e bën këtë linjë prej vitesh nuk mund të mendohet se e mund të bëjë trafik mbetjesh të rrezikshme. Na vjen keq për njerëzit që janë nën arrest, shpresojmë që autoritete të bëjnë sqarimet e nevojshme sa më parë”, thotë ato.

Raporti i policisë gjyqësore të Prokurorisë Vlorë për analizën radioaktive të mbetjeve, që u gjetën në garazhin e tragetit Brindizi-Vlorë.

Sipas Prokurorisë Vlorë, matja është bërë me pajisjen e MINI RAD –D që përdoret nga Porti i Vlorës. Në raport thuhet se policia gjyqësore ka shkuar në vendin ku ishin mbetjet dhe ka bërë matjet. Sipas tyre, nuk ka rezultuar që mbetjet të kenë përbërje radioaktive./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne