13-vjeçarit i pritet dora nga pronarja si “mësim” pse i kërkoi rrogën

Një punëdhënëse “i ka dhënë një mësim” të miturit pakistanez duke i prerë dorën, pasi ai kërkoi ushqim dhe pagën e tij, sipas raporteve të medias lokale.

Djali 13 vjeçar thuhet se ishte punësuar nga një pronare, e identifikuar si Shafqat Bibi, për një rrogë prej 3.000 rupish pakistaneze (rreth 29 dollarë) për të ushqyer kafshët dhe për të punuar në shtëpinë e saj në provincën Punjab.

Javën e kaluar, djaloshi thuhet se nuk pranoi të bëjë punën e tij derisa pronarja e ushqeu dhe e pagoi, pasi ai ishte i varfër dhe i uritur, njoftoi kanali 24 News HD.

Megjithatë, pronarja u zemërua nga kërkesat e tij dhe thuhet se ia vendosi dorën në një makinë prerëse për “t’i mësuar atij një mësim”.

“Javën e kaluar, Shafqat Bibi u zemërua me Irfanin kur ai kërkoi pagën e tij. Ajo ia preu dorën e djathtë me një makinë për prerjen e foragjereve për t’i mësuar atij një mësim, pasi ai kërkoi pagën, por nuk e përfundoi punën e tij për të ushqyer bagëtinë,” tha nëna e djaloshit.

Djali u dërgua në një spital lokal pas incidentit, por mjekët nuk ishin në gjendje të trajtonin dorën e dëmtuar rëndë.

Policia lokale fillimisht refuzoi të regjistrojë një akuzë kundër pronares, sipas raporteve të medias. Megjithatë, nëna e djalit iu drejtua autoriteteve më të larta për të kërkuar drejtësi, dhe incidenti thuhet se ka ardhur në vemendje të kryeministrit të Punjabit, Shahbaz Sharif. Zyrtari ka kërkuar një raport nga policia lidhur me incidentin dhe mosveprimin e tyre, duke deklaruar se gjymtuesit e dyshuar të djalit duhet të trajtohen sipas ligjit.

Akuza kundër pronares u paraqit përfundimisht 10 ditë pas incidentit fillestar, duke quajtur të dyshuar vëllain e saj si dhe dy të tjerë. Shafqat Bibi pagoi garanci për të dalë, por vëllai i saj u arrestua.

Shefi i Drejtësisë së Pakistanit, Mian Saqib Nisar mori kontrollin e rastit të mërkurën, duke kërkuar që policia e Punjabit të paraqesë një raport mbi të brenda 48 orëve të ardhshme. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne