Prononcimi i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin,në emisionin “Kapital”

Ambasadori Rus në vendin tonë ka dhënë një intervistë për emisionin “Kapital” të gazetarit Aleksandër Furxhi në vizion Plus, ku ndër të tjera ka theksuar se lajmet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet palamentare në Shqipëri janë mjaft qesharake.

Më poshtë intervista e plotë e ambasadorit.

  1. Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Rusisë dhe Shqipërisë?

Po t’i vlerësojmë marrëdhëniet ruso-shqiptare në tërësi, unë do t’i cilësoja si shumë normale dhe miqësore. Janë marrëdhënie që bazohen në traditat e pasura të lidhjeve shumë të ngushta që kemi pasur në një periudhë jo të largët historike. Besoj se shumë njerëz e dinë që në vitet shumë të vështira të pasluftës Rusia, edhe pse ishte e mbushur me rrënoja, gjeti një mundësi për t’iu përgjigjur kërkesës së qeverisë shqiptare dhe ia dha popullit vëlla shqiptar një ndihmë të madhe materiale dhe teknike, si dhe mbështetje morale. Këto fakte nuk janë harruar këtu, çka vërtetohet nga funksionimi në qytetet e Shqipërisë i 17 degëve të Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Rusi”.

Megjithatë, vlerësimin tim të gjendjes së tanishme të marrëdhënieve tona unë do ta karakterizoja si një optimizëm të kujdesshëm.Pasi në marrëdhëniet tona, për fat të keq, ka ende më shumë politikë sesa pragmatizëm dhe mendim praktik. Ka mospërputhje pikëpamjesh mbi dsia çështje sensitive ndërkombëtare, mbi rolin e Rusisë në rajone të ndryshme të botës, si dhe mbi kontributin e vendit tonë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Shkëmbimet tona tregtare dhe lidhjet në sferën e investimeve lënë për të dëshiruar. Por, unë do të preferoja të përqendrohesha te zhvillimet pozitive në dialogun tonë. Pas disa ditësh në Tiranë do të mbahet një takim pune midis bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Shqipëri-Rusi për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor. Ne, natyrisht, e shohim këtë aktivitet deri diku si një hap galopant, që shënon riaktivizimin, pas një shkëputjeje gati tetëvjeçare, të këtij Komisioni dypalësh, i cili është pa dyshim instrumenti kryesor i bashkëpunimit midis dy vendeve tona.

Siç është bërë traditë, kemi qenë mjaft të suksesshëm në fushën humanitare. Këtu kemi me çka të mburremi. Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Mirela Kumbaro vizitoi Shën Petërburgun, ku zhvilloi një takim me homologun e saj rus dhe mori pjesë në nënshkrimin e Programit trevjeçar të bashkëpunimit ndërministror. Veç kësaj, vazhdon realizimi i programit të bursave studimi për në universitetet e vendit tonë, që u jepen falas maturantëve shqiptarë. Pra, sivjet Ministria e Arsimit të Rusisë ka akorduar 43 bursa për të rinjtë shqiptarë. E dimë se sa dashamirës janë shqiptarët ndaj kulturës, artit, letërsisë dhe muzikës ruse, dhe jemi të bindur se kjo sjellje pozitive mund të shërbejë si një themel solid për përparimin e marrëdhënieve tona në të gjitha drejtimet pa përjashtim.

 

  1. Ne kushtet kur ne Ballkan ka disa vatra tensioni, ka zera se Russia eshte e interesuar per te shtuar ndikimin e vet ne rajon e madje se ajo nxit rrymat anti integrim ne BE. Si do i pergjigjeshit ketyre zerave?

Siç u shpreh pak ditë më parë Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, Ballkani mbetet një rajon, të cilin Perëndimi për arsye të panjohura e sheh si një fushë veprimesh provokuese të Rusisë. Dhe këto çështje Perëndimi po i trajton me një logjikë absolutisht të papërshtatshme: “ose me ne ose kundër nesh”. Si rezultat, çdo përpjekje e Rusisë për të ndërtuar marrëdhënie normale me vendet ballkanike bëhet menjëherë objekt i një shqetësimi jashtëzakonisht të madh të politikanëve perëndimorë, të cilët dalin pastaj me reagime jo të shëndetshme dhe madje me shfaqje rusofobie të mirëfilltë.Është për të ardhur keq se në rajon, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, është ngriturnjë valë spekulimesh rreth të ashtuquajturit “kërcënim rus”, e cila duket si një fushatë e parapërgatitur, që synon diskreditimin e vendit tonë në sytë e atyre që ushqejnë simpati për të.

Mund të vëmë re se në Shqipëri nuk ka mbetur asnjë gazetë apo televizion, që të mos ketë prekur temëne “ndikimit rus”.Zakonisht promovohen materiale me akuza krejt të pabaza për gjoja implikimin e Rusisë në atentatin ndaj kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç, për “dorën e Moskës” në destabilizimin e situatës në Maqedoni dhe madje për përgjegjësinë e Rusisë për ecurinë e ngadaltë të dialogut Beograd-Prishtinë. Siç theksoi Ministri Lavrov, kjo s’mund të quhet gjë tjetër veçse paranojë. Në një mënyrë të tillë opinionit publik i imponohet një përceptim i shtrembëruar i realitetit, ndërsa i ashtuquajturi “ekspansion rus” paraqitet sikur të jetë problemi kryesor i këtij vendi. Për më tepër, disa tashmë kanë filluar t’i frikësojnë qytetarët shqiptarë me hakerat rusë, të cilët gjoja po përgatiten për të ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Mendoj se kjo është fare qesharake.

Megjithatë, siç tha ministri rus, qasjet e tilla nuk na krijojnë shqetësime, ngaqë vazhdojmë të shohim një përputhje interesash themelore në çështje të shumta midis nesh dhe vendeve të rajonit. Meqë ra fjala, Rusia asnjëherë nuk e ka frenuar integrimin evropian të shteteve ballkanike, për arsye se anëtarësimi i një vendi në BE nuk përbën asnjë pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit tonë me përfitim reciprok. Shembulli më i mirë janë Kroacia dhe Sllovenia, por edhe Hungaria dhe Italia, që janë vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, por njëkohësisht mbajnë edhe marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë në fusha nga më të ndryshmet, në bazë të respektit të ndërsjellë.

Duke e mbyllur përgjigjen time, do doja t’i referohesha prapë deklaratës së Ministrit Lavrov se Rusia niset nga bindja e thellë se Perëndimi duhet të ndërpresëpërdorimin e Ballkanit në lojërat e tij gjeopolitike dhe të heqë dorë nga ideologjia e natocentrizmit. Do të ishte shumë herë më e dobishme të fokusohemi në krijimin e një hapësire të sigurisë së përbashkët, të barabartë dhe të pandashme në Evropë, ku të gjitha vendet, pavarësisht se a bëjnë pjesë apo jo në blloqe politiko-ushtarake, të ndihen të mbrojtur në masë të barabartë. Kjo do të krijonte kushte për zgjerimin e raporteve normale ekonomike, tregtare dhe jo vetëm, duke u mbështetur mbi përfitime reciproke dhe mendimin praktik. Asnjë rrugë tjetër nuk ka.

Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne