Bota

Protestat mbi sulmet ajrore në Siri vazhdojnë anembanë Amerikës (foto)

Një numër i madh i protestuesve kundër luftës kanë mbajtur përsëri demonstrata në qytete anembanë Shteteve të Bashkuara për të dënuar sulmet ajrore të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara mbi Sirinë, ku qeveria e Presidentit Bashar al-Assad vazhdon lufën kundër terroristëve të sponsorizuar nga jashtë.

Demonstrata u mbajtën në New York City, Atlanta, Minneapolis, Chicago, Oakland dhe Washington. Demostratat ishin të ngjashme me ato të një dite me parë që u organizuan në shumë qytete amerikane, përfshirë Los Anxhelosin dhe San Franciskon.

Protesta u mbajtën gjithashtu edhe përpara shtëpive të Senatorëve Demokratë si Dianne Feinstein si dhe shtëpisë së lideres së pakicave Nancy Pelosi në San Francisko.

“Ne duam që si Feinstein dhe Pelos të flasin kundër bombardimeve dhe luftës së vazhdueshme”, tha Eleanor Levine, një organizatore e grupit kundër luftës Code Pink Women for Peace. “Ne po futemi në çdo lagje pasi qëllimi ynë është që ta përçojmë mesazhin tonë në çdo vend.”

“Ne nuk kemi të drejtë të kemi një prani ushtarake në Siri, këto janë kërkesat tona”, tha Levine.

Demonstratat u mbajtën me slogane dhe pankarta për të mbështetur paqen dhe për të kundërshtuar politikën e jashtme intervenuese të Amerikës.

Presidenti Donald Trump këtë fundjavë urdhëroi forcat amerikane të nisin sulme raketore kundër Sirisë. Të shtunën në mëngjes, forcat e armatosura të SHBA-së, Britanisë dhe Francës nisën një sulm me raketa kruizer kundër tre objektivave të ndryshme në Siri, duke thënë se ishte gjëja më e duhur për të penguar përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike.

SHBA-ja dhe aleatët e saj e kërcënonin Damaskun me veprime ushtarake që nga 7 prilli, kur ndodhi një sulm kimik në qytetin sirian Douma, Ghouta Lindore, i cili thuhet se vrau 60 njerëz dhe plagosi qindra të tjerë.

 

Rusia tha se sulmi kimik u organizua nga militantët e dëshpëruar për të provokuar ndërhyrje perëndimore të mëtejshme në konflikt.

Trump të shtunën e deklaroi “misionin raketor si të arritur” dhe argumentoi se “nuk mund të kishte pasur rezultate më të mira”.

“Mbrëmë u krye një sulm i përkryer,” shkroi Trump të shtunën. “Faleminderit Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për urtësinë dhe fuqinë e ushtrisë së tyre të shkëlqyer, nuk mund të kishte pasur rezultate më të mira.

Deklarata e Trump u gjykua gjerësisht si e nxituar dhe provinciale, e ngjashme me momentin kur ish-Presidenti Xhorxh W. Bush, gjatë zbritjes nga një avion transportues deklaroi “misionin e arritur” 15 vite më parë në Irak./press/Gazeta Impakt