Protestë e dhunshme e opozitës? Çfarë pritet të ndodhë sot para kryeministrisë

Opozita e Bashkuar do të zhvillojë pasditen e sotme protestën e saj të pestë kombëtare, e cila pas zhvillimeve të fundit pritet të jetë njësoj e tensionuar si ajo e ditës së shtunë.

Në protestën e sotme pritet një numër shumë i lartë i qytetarëve nga i gjithë vendi. Të njëjtat burime sqarojnë se, pavarësisht kushteve atmosferike, qëndresa përpara Kryeministrisë do të vazhdojë për disa orë. Mesazhet për një protestë aspak të qetë i dha edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë protestës që opozita zhvilloi paraditen e djeshme përpara Drejtorisë së Policisë. Basha deklaroi se dhuna barbare e ushtruar ndaj qytetarëve dhe funksionarëve politikë të PD-së do të marrë përgjigje proporcionale nga populli.
“Kjo është përballja sot, e gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash, të cilët kanë instaluar përmes një grushti kushtetues shteti juntën e krimit në vend. Junta i ka orët e numëruara, Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara. Skenari i dhunës që vuri dje në lëvizje me kriminelë të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, me të tjerë kriminelë të infiltruar në turmën e protestuesve paqësorë.

Skenari i dhunës i shërbeu Edi Ramës vetëm për të treguar para shqiptarëve dhe para botës se i vetmi njeri i interesuar për dhunë është kreu i juntës antikushtetuese, është Maduro i Ballkanit, i cili do të marrë përgjigjen e plotë nesër nga shqiptarët e bashkuar.

Dhuna barbare ndaj qindra protestuesve, ndaj vajzave dhe grave, ndaj figurave politike, ndaj Sahit Dollapit që u dhunua barbarisht vetëm për të dërguar mesazh junte, mesazh mafieje, mesazh krimi, për të trembur dhe inkurajuar shqiptarët, do të marrë nesër përgjigje proporcionale nga populli i bashkuar dhe i vendosur për të çuar betejën deri në fund”, tha Basha.

Protestuesit e opozitës u grumbulluan mesditën e së dielës përpara Drejtorisë së Policisë për të kërkuar lirimin e personave të arrestuar, shkruan panorama. Vendimi i demokratëve për të protestuar erdhi menjëherë pas shoqërimit të dhunshëm të Sekretarit Organizativ të PD-së, Sahit Dollapi./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne