Indrit Vokshi
Komunistët shqiptarë u kujdesën që ta ruajnë investimin e krijuar me luftë, gjak, mundim. Prej Moskës përfunduan si vasalë të Departamentit të ShBA-ve me manaxher rajonal Soros+OJF. Vetëm për të ruajtur vazhdimsinë. Siç thuhej në manualet e tyre; mbijetesë e partisë edhe në kushtet e kundër-revolucionit të borgjezisë ndërkombëtare.
Prej radhëve të tyre doli edhe partia rivale, PD-ja. Pjesa opozitare dhe e papërfaqësuar nën regjim duhej manaxhuar në kushtet e pluralizmit politik, pasi pluralizmin e kërkonte konjuktura ndërkombëtare. Renegati prej radhëve të tyre, Sali Berisha, ishte në të njejtën kohë edhe garancia, edhe rreziku. I trimëruar prej turmave pro tij, i trimëruar nga çuna të fortë të kohës, i trimëruar edhe prej mbështetjes amerikane, në fillim tentoi të zhdukte dhe dobësonte ish partinë e vet. Nisi me burgosje të Fatos Nanos dhe dhjetra të tjerëve. Mbështetja trimëruese prej gjysmës së popullit i dha mundësinë për të themeluar dinastinë e vet.
Pasi partia nanë e rrëzoi me arme, brenda 5 vjetësh shkuan në paktin e fortë Nano-Berisha, pasi forca, balancon forcën dhe ricakton pozicionet.
Pas nongratas në vitin 2021 kur të huajt donin ta zhbalanconin dhe shkatërronin paktin në Shqipëri, sistemi i paktit, iu përgjigj Berishës dhe e mbrojti nga goditja ndërkombëtare. Iu përgjigj shteti që e mbrojti, iu përgjigj klientela me lek, me njerëz dhe me media, duke e ndihmuar të mbijetojë; të mos hyjë në burg dhe të mos i çmontohet klani.
Sistemi politiko-ekonomik i Shqipërisë nuk mundej të mbijetonte pa njërin prej etërve të tij krijues; e ndaj nuk mundej të asgjësonte njërin prej këtyre etërve sepse duke asgjësuar atë, sistemi shkatërrohej vetë. Sistemet kanë nevojë për supërstrukturën përkatëse e cila arrin e mban sistemin në jetë. Po t’i krahasojmë me klasikët e dikurshëm Marks-Engels-Lenin-Stalin, portretet rreshtohen kështu: Alia, Berisha, Nano, Meta, Rama. Këta janë pesë klasikët e kapitalizmit grabitës që është ndërtuar në Shqipëri.
Këta janë klasikët e kapitalizmit të ndërtuar me zaptim toke shtetërore e private, me kontrabandë nafte, cigaresh e trafik droge; me riinvestim të përqindjes së korrupsionit, ose haraçit duke shitur vulën e shtetit. Asnjë sektor tjetër i ekonomisë shqiptare nuk ka lulëzuar në Shqipëri, përveç sektorëve që përmenda.
Sot sistemi i tyre ka një problem të madh: Zhbalancimi i pasurisë, krijimi i kastës sunduese krejt haptas, mosperformimi i sektorëve të ekonomisë për të përfshirë popullsinë, dhe shumë e rëndësishme; teknologjia dhe decentralizimi i informacionit. Përmes decentralizimit të informacionit që mundëson teknologjia, përmes përfshirjes së shqiptarëve në një komunikim më të gjerë me botën falë teknologjisë, rriten edhe pretendimet si dhe cënohen mitet.
Brezi i ri sot nuk ndan mitet dhe frikërat e brezit të viteve 1990 apo fillim 2000. Është krijuar një trupë e re pooullore të cilën as mundesh ta frikësosh me të njejtat “rreziqe” e as mundesh ta zbrapsësh duke i kërkuar të mos cënojë të njejtat mite.
Është si magjia: Thonin në ata ishujt e Amerikës Qëndrore ku magjia ka qenë e përhapur; magjia nuk e kap dhe ska efekt tek dikush i cili nuk beson në magji. Duhet të besosh në magji që magjia të ketë efekt. E sot, as magjia e Sali Berishës me të shkuarën e tij duke e paraqitur veten si të lavdishëm e as tentativa për magjia e Ramës me të ardhmen, duke thënë “Do iu çoj në Europë”, sikur po iu premtohet fëmijëve se do i çosh tek lodrat, nuk kanë efekt.
Ndaj shohim skena qesharake./fb















