Në një intervistë ekskluzive për Gazeta Impakt, deputeti i zgjedhur i Qarkut të Durrësit, Artan Luku, komenton zhvillimet më të fundit politike pas zgjedhjeve të 11 majit, duke i cilësuar ato si ndër më të parregulltat në historinë e pluralizmit shqiptar. Sipas tij, Partia Socialiste ka vendosur një kontroll të plotë mbi institucionet, median dhe qytetarët, ndërsa procesi zgjedhor është shoqëruar me manipulime të rënda, presion mbi administratën dhe përdorim të strukturave kriminale. Në këtë intervistë, ai flet gjithashtu për rezultatet në Durrës, përpjekjet për rinumërim, rolin e muxhahedinëve në Manzë dhe sfidat që do të adresojë si deputet në legjislaturën e re.
Intervista e plotë:
1. Z. Luku, si e vlerësoni procesin zgjedhor të 11 majit në tërësi dhe në Durrës në veçanti? Ishte një proces i drejtë apo i parregullt sipas jush?
Procesi zgjedhor i 11 majit ishte një nga më të parregulltit në historinë elektorale të Shqipërisë. Më shumë se kurrë më parë, kishte një angazhim total të shtetit – qeverisë qendrore dhe asaj vendore – në shërbim të partisë në pushtet. Vendimet për falje gjobash, shpërblime për pensionistët, administrata e vënë në dispozicion të fushatës, mijëra patronazhistë të paguar nga institucione publike apo shoqëri në varësi të shtetit, janë tregues të qartë të kësaj përfshirjeje.
Shtoji kësaj edhe kontrollin absolut mbi median dhe ngritjen e një makinerie të madhe propagandistike me qindra portale të financuara nga buxheti i shtetit për të manipuluar opinionin publik.
Gjatë procesit të numërimit u konstatuan probleme të rënda teknike dhe anomali të paprecedenta, si:
- mungesë e fletëve të votimit në kuti;
- prani e fletëve më tepër se sa lista e votuesve;
- fletë votimi me numër serial të përkasin qendrave të tjera të votimit;
- fletë të votuara me stilolaps (rapitograf), ndonëse në qendrat e votimit nuk ofrohej një mjet i tillë.
Këto janë shenja të qarta manipulimi dhe shkeljeje të standardeve demokratike.
2. Pavarësisht humbjes, PD ruajti rezultatin e vitit 2021 në Durrës me 6 mandate. Jeni të kënaqur me këtë rezultat?
Jo, nuk jam i kënaqur. Mendoj se Durrësi kishte potencial të jepte më shumë për opozitën, veçanërisht për koalicionin PD-ASHM. Prisja të paktën 7 mandate. Duke marrë parasysh lodhjen e qytetarëve nga kjo qeverisje dhe kontekstin politik, ky rezultat është nën potencialin real të opozitës.
3. A pati “tren bullgar” në Durrës? Çfarë problemesh keni evidentuar si kandidat?
Po, ka indikacione për përdorimin e “trenit bullgar”, të reflektuara në parregullsitë që përmenda më sipër. Fletë të dyshimta, mospërputhje në dokumentacion, manipulime flagrante të vëna re edhe në videot që po publikohen nga PD – ku shihen persona që hedhin nga 3-4 fletë votimi në kuti, ose komisionerë që nxjerrin vota për të parë për kë është votuar. Këto janë dëshmi të rënda manipulimi.
4. PD akuzon Edi Ramën se përdori bandat për të fituar zgjedhjet. E ndjetë ju peshën e tyre në Durrës?
Po, ndikimi i grupeve të strukturuara kriminale u ndje. Rezultatet e çuditshme të disa kandidatëve pa ndonjë logjikë politike janë tregues të ndërhyrjes së jashtme dhe të paligjshme në procesin zgjedhor. Disa individë me të kaluar kriminale nuk hyjnë më drejtpërdrejt në Parlament për shkak të ligjit të dekriminalizimit, por veprojnë përmes përfaqësuesve të tyre të emëruar.
5. Cilat janë faktorët që çuan në këtë rezultat në Durrës?
Faktorët kryesorë janë: manipulimi i procesit zgjedhor, presioni mbi administratën, mungesa e një fryme reale ndryshimi, përdorimi i burimeve shtetërore për fushatë dhe angazhimi i strukturave informale. Por opozita duhet të shohë edhe përgjegjësitë e saj. Një analizë e thellë duhet të bëhet pas përfundimit të procesit.
6. Zgjedhjet i fitoi Rama apo i humbi PD?
Zgjedhjet nuk u fituan nga një vizion politik, por nga një sistem i ngritur për të kontrolluar çdo hallkë: administratën, drejtësinë, median dhe qytetarët. Nuk është demokraci funksionale, por një sistem i kapur. Kjo është më shumë se vjedhje zgjedhjesh – është kontroll i plotë mbi shtetin, shoqërinë dhe individin.
7. Çfarë prisni nga procesi i rinumërimit të votave në Durrës?
Transparenca ndihmon në rikthimin e besimit. Por kam rezerva nëse gabimet do të vlerësohen seriozisht. Rinumërimi duhet të jetë i ndershëm dhe duhet të ketë pasoja për shkelësit. Kush ka prekur edhe një votë, duhet të ndëshkohet.
8. A ka prova për përsëritjen e zgjedhjeve në Durrës dhe në të gjithë vendin?
Po, ka mjaftueshëm elementë që tregojnë mungesë standardesh demokratike. Por më shqetësues është mungesa e vullnetit institucional për të garantuar zgjedhje të ndershme.
9. Cili është qëndrimi juaj për praninë e muxhahedinëve iranianë në kampin e Manzës? A ishte vendimi i drejtë dhe i konsultuar me komunitetin?
Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka përgjegjësi për vendime që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare. Por këto vendime duhet të shoqërohen me transparencë dhe konsultim me komunitetin lokal, për të shmangur paqartësi dhe pasiguri.
10. A përbën prania e tyre një kërcënim për sigurinë kombëtare, sidomos tani që vendi i tyre është në luftë me Izraelin?
Edhe nëse ekziston ndonjë risk hipotetik, Shqipëria ka detyrime ndërkombëtare që nuk mund të anashkalohen. Nuk besoj se një kamp në Manzë mund të jetë faktor vendimtar në një konflikt të përmasave Iran-Izrael.
11. Si deputet, si do të veproni në Kuvend për këtë çështje?
Do të kërkoj transparencë të plotë nga qeveria për marrëveshjet që lidhen me çështje të ndjeshme. Çdo marrëveshje ndërkombëtare që prek komunitetin lokal duhet të kalojë përmes konsultimit publik dhe të respektojë interesin kombëtar. Angazhimi im do të jetë për një proces vendimmarrës të hapur, të ndershëm dhe demokratik./gazetaimpakt