Pse bomba kundër autobuzit të të evakuuarve në Alepo la mbi 100 fëmijë të vdekur?

Përgjigja është terroristët, sigurisht. Përse ndodheshin ata aty, kjo mbetet e paqartë…

Dëshmitarët okularë kanë thënë se pak para sulmit, militantët i kishin joshur njerëzit, kryesisht fëmijët, jashtë autobuzit me patetina, dhe njëkohësisht i kishin ndaluar ata nga arratisja në momentin e sulmit.

Sulmi me bombë që goditi të shtunën e kaluar disa autobuzë që evakuonin banorët e Alepos, la mbi 100 të vdekur, përfshirë dhjetëra fëmijë, si dhe shumë të tjerë të plagosur.

Pas sulmit, Vanessa Beeley e 21st Century Wire ka mbledhur dëshmitë e të mbijetuarve të sulmit. Ata kanë thënë se militantët kishin bërë çmos për të rritur numrin e të vdekurve nga sulmi.

“Pak para sulmit, një makinë e çuditshme doli nga pika e kontrollit të militantëve. Ata thanë se po sillnin patetina për fëmijët,” ka thënë shoferi i një autobuzi, cituar nga RT.

“Më pas ata dolën nga makina dhe filluan të bërtisnin, ‘Kush ka fëmijë? Kush ka fëmijë?’“

Shoferi tha se militantët e dinin me siguri që fëmijët kishin kohë pa parë gjëra të tilla si biskota dhe patetina pasi kishin qenë prej kohësh në rrethim. Kështu, shumë nga fëmijët dolën nga autobuzët dhe vrapuan drejt makinës.

Shoferi rikujton se kishte militantë nga Ahrar ash-Sham, Jahbat al-Nusra dhe disa fraksione nga Ushtria e Lirë Siriane.

“Kur shpërthimi goditi zonën, njerëzit vërshuan drejt pyjeve, por militantët i rrethuan ata dhe i detyruan të ktheheshin në autobuzë,” ka shtuar shoferi.

Një grua tha se “militantët na thanë që autobuzët tanë po sulmoheshin me granata nga një grup tjetër, dhe se ne duhet të shkonin drejt shkurreve… por më pas ata thanë se shkurret ishin të minuara dhe kështu ne e gjetëm veten në kurth.”

Një tjetër grua i tha Beeley-t se para sulmit aty ishin disa ambulanca të verdha turke, të cilat pas sulmit morën disa të vrarë e të lënduar për t’i çuar në drejtim të paditur.

“Ne nuk e dimë ku janë (fëmijët). Ata kanë ikur. Nuk ka trupa. Ne kemi kërkuar për ta, por pa rezultat,” ka thënë një nga dëshmitarët.

Disa dëshimtarë thanë se grupi Helmetat e Bardha ishin në vendngjarje, duke marrë disa militantë të Nusras dhe Ahrar ash-Shamit, dhe duke lënë civilët e plagosur.

Beleey ka thënë se: “Ne sapo kemi dëshmuar një nga krimet më makabre të jetës sonë, dhe ende heshtim… nuk ka asnjë ndëshkim ndërkombëtar nga qeveritë, OJQ-të, media.”

Përkundrazi, media po përpiqet ta zbehë këtë incident krejtësisht të neveritshëm, në të cilin, sipas informacioneve të Beeley, 116 fëmijë kanë humbur jetën. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne