Pse familja Berisha e quajti Tahirin një “kurban” dhe ndaj kujt “Zoti” e flijoi Edi Rama?!

Kur fiton një mandat të dytë qeverisës, si rregull ose konfirmon skuadrën fituese, ose rinovon ekipin për t’i dhënë freski drejtimit, por edhe për të shpërndarë përgjegjësi në përfaqësim.

Edi Rama, nuk zgjodhi apo “rriskoi’ të bëntë një kabinet të ri politik apo ekspertësh, që brenda PS-së mund të gjenden me okë, por rimandatoi thuajse 80% të qeverisë paraardhëse.

Duke lënë të kuptojë se ka  shpërblyer drejtuesit politik të qarqeve që sollën fitoren.

Por në fakt nuk është kështu; është vetëm një iluzion i kësaj ideje që po propogandohet nga qarqet afër Edi Ramës.

Nëse Gjiknuri si fitues në Dibër e në Vlorë mori një ministri plus, Arben Ahmetajt iu dha një ministri shumëzuar për tre kur humbi Kavajën, një simbol politik shumë i rëndësishëm.

Vërtetë që fitorja në jug apo në Berat ndaj LSI-së u konsideruan trofe, por realisht nuk përbënte çudi, pasi PS-ja ka fituar në jug në ditët më të këqija të saj, madje edhe në mazhoritar, kurse Beratin e ka pasur bastion historik.

Fitorja më emblematike, më e thellë, por edhe më e rëndësishme politikisht ishte fitorja e qarkut Tiranë, ku PS arriti tek niveli pranë 60%.

Një fitore me shumë peshë jo vetëm nga 18 mandatet e marra, por edhe që i jep legjitimitet mandatit të dytë, për të përgënjeshtruar teorinë e blerjes së votës, që natyrisht në kryeqytet nuk mund të besohet si teori që mund të funksionojë në zonat rurale.

Por Edi Rama shpërbleu vetëm Ogerta Manastirliun që mori njësinë 9, apo Olta Xhaçkën e njësisë 3.

Ndërkohë që drejtuesin e grupit apo njeriun e fitores e la në stol pa i thënë dhe përse. Saimir Tahiri, kreu i PS-së Tiranë, i cili drejtoi për më pak se 4 vjet ministrinë e Brendshme nuk u rimandatua si kolegët e tij të kabinetit, megjithëse vetë Edi Rama e ka cilësuar Saimirin si “kampionin” e qeverisë.

Ç’ka ndodhur realisht?

Qarqe pranë familjes Berisha, në shkrimet e tyre e kënduan fitore, duke e quajtur me të drejtë një triumf, pasi Tahirin, doktori e ka pasur një sëkëlldi të madhe. Në saj të Tahirit, njerëzit e tij e falangat e krimit ikën për azil, ndërsa me Xhafën jo vetëm që edhe mund të diskutojnë por e shohin të lehtë për shantazhim, duke i përmendur foton me “Xhaxhin” apo edhe problemet familjare.

Pra qarqet pranë doktorit e quajtën Tahirin një “kurban” të Ramës për themelet e qeverisë së dytë.

Po kurban ndaj kujt “Zoti”?!

Atij që kryeministri i sotëm i dha 88 vota në një natë fillim maji?!

Cilit dhe çfarë mesazhi ka përcjellë Rama me Saimir Tahirin që e la jashtë, madje pa i “shkelur as syrin”?

Padyshim që më shumë se një personi: Ilir Metës për t’i ofruar një detantë të qetë, apo edhe Lulzim Bashës, që të paktën mund të ketë mundësi të flasë para përkrahësve të tij gjithnjë e më të paktë, se të paktën një gjë ja ka arritur, nuk lejoi Saimir Tahirin të bëhet ministër.

Se realisht fabula e kanabisit duket e rënë. Vetë personi që hyri me bastin e tij në Lazarat, s’kishte sesi ta kthente atë në një invers, duke derdhur kovën e qumshtit që moli vetë.

Të gjithë e mbajnë mend që pas Lazaratit, një delfin i Edi Ramës, Koço Kokëdhima, fliste nga mëngjesi në darkë për legalizimin e hashashit, saqë të gjithë e morën si një sinjal të kryeministrit për ta bërë atë. E në fakt Rama nuk i tha kurrë Koços që të pushonte.

Natyrisht askush nuk i beson kësaj fabule. Edhe për arësyen “kokëfortë” se Drejtori i policisë së Shtetit, Haki Çako, përgjegjësi i drejtëpërdrejtë i situates, vazhdon i qetë dhe i sigurtë punën në krye të policisë, nën patronazhin e kujdesshëm të vetë Edi Ramës..

Por situata është më e thjeshtë se kaq.

Kryeministrit, nuk i duhen histori më shumë apo njerëz që mund të kenë të tilla, por edhe të bëjnë ndjekës, siç “guxoi” Tahiri në Tiranë ku provoi se kishte një numër të lartë mbështetësish. Që xhelozoi menjëherë dikë që mbështetësit i siguron ndryshe. Me një kamera para dhe një regjizor montazhi që i bën makiazhin

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne